Chelsea ka bërë një goditje mjaft të rëndësishme në këtë merkato, teksa ka firmosur për 7 vite e gjysmë me mbrojtësin e talentuar të Monaco, Benoit Badiashile. Ky i fundit ka kaluar 5 sezone në Ligue 1, duke regjistruar 135 paraqitje në kampionat me Monaco. Lojtari gjithashtu ka debutuar me kombëtaren franceze, dhe është një nga emrat më premtues tek përfaqësuesja e “gjelave”.
Pas zyrtarizimit të lajmit, Badiashile u shpreh për mediat:
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Chelsea. Jam i emocionuar që do filloj të luaj për këtë klub. Mezi pres të shoh fansat dhe të filloj të luaj në kampionatin më të mirë në botë.”
Mbrojtësi francez gjithashtu ka debutuar në Champions League dhe Europa League me Monaco. Presidenti i Chelsea, Todd Boehly, gjithashtu u shpreh i lumtur për ardhjen e Benoit Badiashile në Stamford Bridge. Boehly komentoi:
“Jemi të lumtur që po mirëpresim Benoit tek Chelsea. Ai është një lojtar i ri ekselent, i cili ka krijuar një reputacion të fortë për veten e tijm dhe një eksperiencë mjaft të madhe në një moshë të vogël. Jemi të sigurtë se ai do të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit tonë në vitet e ardhshme.”
Transferimi i 21 vjeçarit i ka kushtuar klubit londinez plot 35 milionë paundë. Ky ishte afrimi i dytë për Chelsea këtë janar, pas transferimit të David Datro Fofana nga skuadra e Molde, një tjetër lojtar mjaft premtues për të ardhmen.
Momentalisht Chelsea po kalon një periudhë të vështirë, teksa të besuarit e trajnerit Graham Potter gjenden në vendin e 10 në renditjen e përgjithshme të Premier League. Arsyeja kryesore e paraqitjeve të dobëta kanë qënë mungesat në reparte të rëndësishme të fushës. Mes të dëmtuarëve në kampin e bluve janë: Wesley Fofana, Reece James dhe Ben Chilwell.