Manchester United po shtyn gjithnjë e më fort për të kompletuar transferimin e Wout Weghorst nga Besiktas, brenda kësaj merkatoje janari. Përpjekjet e “Djajëve të Kuq” mund të konkretizohen shumë shpejt, duke marrë parasysh se vet sulmuesi hollandez duket se po kërkon me këmbëngulje transferimin në Old Trafford.
Pavarësisht se për momentin Weghorst aktivizohet në Turqi me Besiktas, kartoni i tij zotërohet nga Burnley në Angli. Kjo ka komplikuar disi situatën, pasi mes anglezëve dhe klubit turk ekziston një kontratë e vlefshme huazimi për hollandezin. Drejtuesit e Besiktas kërkojnë një dëmshpërblim nga Burnley ose United, në rastin e largimit të lojtarit.
Megjithatë, sipas gazetarit turk Gokhan Dinc, Weghorst është i gatshëm të paguajë dëmshpërblimin e nevojshëm nga paratë e tij, vetëm që të luajë për Manchester United në Angli. Mediat sportive turke hedhin dyshime se sulmuesi ka arritur akordin me Besiktas për lëvizjen, dhe turqit mund të zyrtarizojnë shumë shpejt largimin e tij.
Sipas Express Sport, Besiktas i ka paraqitur Weghorst dy kushte për të kompletuar transferimin e tij tek United. I pari ishte kompensimi financiar. Kushti i dytë ishte pritja deri në momentin që turqit të siguronin një zëvëndësues të përshtatshëm. Mendohet se Besiktas i ka sytë tek Vincent Aboubaka, i cili është shumë afër largimit nga Al-Nasser.
Afrimi i një sulmuesi është mjaft i rëndësishëm për United në këtë pikë të sezonit, sidomos pas largimit të Cristiano Ronaldo në përfundim të botërorit. “Djajtë e Kuq” kanë një axhendë të ngjeshur deri në fund të sezonit, pasi duhet të luajnë jo vetëm në kampionat, por dhe në Europa League. Gjithashtu, të besuarit e trajnerit Ten Hag duhet të luajnë dhe në Carabao Cup dhe FA Cup. Rotacioni i lojtarëve është e vetmja mënyrë që anglezët të jenë kompetitivë në të gjitha kompeticionet.