Arsenal ka konfirmuar se Jurrien Timber ka pësuar një dëmtim të ligamenteve të gjurit, dhe do t’i nënshtrohet operacionit në ditët e ardhshme. Hollandezi iu bashkua londinezëve nga Ajax këtë merkato vere, por nuk pati fat në debutimin e tij me Arsenal. 22 vjeçari la fushën duke çaluar në minutën e 50’ në sfidën ndaj Nottingham Forest. Megjithatë, vetëm ditën e sotme klubi ka komentuar mbi shkallën e dëmtimit.
Në një deklaratë zyrtare, Arsenal u shpreh se Timber do të jetë jashtë fushave të blerta për një periudhë, pa specifikuar saktësisht kohëzgjatjen që mund t’i nevojitet Timber për t’u rikthyer:
“Suporti dhe ekspertiza e stafit tonë mjekësor, si dhe të gjithë personave tek klubi do të fokusohen tek rehabilitimi i Timber, për t’u siguruar se ai rikuperohet mirë dhe kthehet sa më shpejt të jetë e mundur.”
Ndërkohë vet lojtari u shpreh tejet i mërzitur mbi lajmin, duke thënë se dëmtimi rezultoi të ishte më serioz nga sa e kishte menduar në fillim. Timber ra në sy me paraqitjet e tij sezonin e kaluar me Ajax. Lojtari u aktivizua në 47 përballje me hollandezët, përfshirë këtu dhe 6 takimet në Champions League. Timber ishte gjithashtu mjaft i rëndësishëm në triumfin e Ajax në kampionat, në vitin 2021 dhe 2022.
Dëmtimi i rëndë i hollandezit nuk është i vetmi mes klubeve të Premier League. Manchester City nuk do të ketë të disponueshëm Kevin de Bruyne për të paktën 4 muaj. Belgu gjithashtu u dëmtua në ndeshjen hapëse të kampionatit, dhe stafi mjekësor i City është duke vendosur nëse operacioni do të jetë i nevojshëm.
Aston Villa gjithashtu ka humbur 2 lojtarë mjaft të rëndësishëm, të cilët po vuajnë dëmtime afatgjata. Bëhet fjalë për mesfushorin Emi Buendia dhe mbrojtësin Tyrone Mings. Ky i fundit gjithashtu u dëmtua në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Premier League.