Drejtuesit e Crystal Palace duhet të punojnë fort këtë verë, nëse duan që Eberechi Eze të mos largohet nga Selhurst Park. Mesfushori i talentuar ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve rivale në Premier League, mes tyre Manchester City dhe Tottenham, që mund të përfshihen në një garë gjatë merkatos së verës, për të siguruar firmën e Eze.
Për momentin nuk është ende e qartë nëse lojtari ka një klauzolë për largimin nga klubi, në kontratën e tij aktuale me Crystal Palace. Kujtojmë se Eze ka një kontratë aktive deri në vitin 2027. Mesfushori ka shkëlqyer me paraqitjet e tij këtë sezon dhe është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Crystal Palace, që prej transferimit nga QPR në vitin 2020.
Por cila është vlera monetare që drejtuesit e Palace mund të pranojnë për të lënë Eze të lirë? Sipas mediave angleze, bordi i klubit do të shqyrtojë seriozisht vetëm oferta mbi 60 milionë paundë për Eberechi. Arritja e një marrëveshjeje me një klub tjetër pritet të jetë komplekse dhe për shkak të kontratës aktuale të lojtarit.
Kujtojmë se Eze ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë dhe 5 asiste këtë sezon. Anglezi është në rrugën për të fituar një vend në kombëtaren angleze të futbollit, teksa po merr gjithnjë e më shumë vëmendje me performancat e tij. Një tjetër atribut që e bën Eze mjaft të dëshiruar nga shumë klube është aftësia e lojtarit për të luajtur në disa pozicione në fushë. 25 vjecari preferon të luajë në rolin e numrit 10, por shpesh herë është aktivizuar në të dy krahët e fushës.
Manchester City kërkon të ketë më shumë opsione në mesfushë, tashmë që Kevin De Bruyne po i afrohet fundit të karrierës. Tottenham gjithashtu kërkon të ketë më shumë alternativa në mesin e fushës, dhe Eze është perfekt për këtë rol.