Pas prezantimit si trajneri i ri i Bayern Munich, Vincent Kompany është shprehur se tek Bayern ndihet që tani si në shtëpinë e vet. Tekniku belg ka firmosur një kontratë 3 vjeçare me gjigandët gjermanë, duke zëvëndësuar Thomas Tuchel në krye të pankinës. Pavarësisht se Kompany nuk ia doli të shpëtojë Burnley nga rënia nga kategoria në Premier League, duket se kjo nuk ka ndikuar në vendimin e bordit drejtues të Bayern, për t’u besuar belgut drejtimin e klubit.
Kompany u shpreh për mediat në komunikimin e tij të parë zyrtar si trajner i Bayern Munich:
“Mentaliteti im është se asnjëherë nuk kam punuar për një klub të vogël. Mendoj se një mjedisi që krijon e bën një klub të madh. Është mentaliteti që ke në raport me punën tënde në kohërat e mira dhe të vështira, kjo përcakton të punuarit në një nivel të lartë. Këtu ndihem si në shtëpi…”
Kompany e filloi karrierën e tij si trajner me Anderlecht në Belgjikë, klubin ku nisi dhe karrierën e tij si lojtar. Në fund të sezonit të tij të parë me Anderlecht, Kompany u largua për të startuar një kapitull të ri të karrierës në krye të Burnley. Trajneri belg arriti të udhëheqë anglezët drejt titullit kampion në Championship, duke siguruar një biletë për të luajtur në Premier League sezonin e ardhshëm. Megjithatë, Kompany nuk ia doli të shmangte rënien e Burnley nga kategoria këtë sezon.
Ndërkohë përsa i përket Bayern Munich, gjermanët e mbyllën këtë sezon në vendin e tretë në Bundesliga, plot 18 pikë larg kampionëve të Bayer Leverkusen. Kjo ishte hera e parë që prej sezonit 2011-2012 që Bayern e mbylli vitin pa asnjë trofe. Kompany u shpreh i vendosur për të rikthyer Bayern në rrugën drejt trofeve madhorë.