Mason Greenwood është gjithnjë e më afër largimit përfundimtar nga Manchester United. Sulmuesi njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale javën e kaluar, se do të largohet nga Getafe, pas një sezoni të suksesshëm në formë huazimi nga “Djajtë e Kuq”. Greenwood nuk pritet të rikthehet në Old Trafford, teksa nga ana e klubit anglez nuk ka asnjë shenjë që indikon në një dëshirë që lojtari të rikthehet në ekip. Por cili mund të jetë destinacioni i rradhës i Greenwood?
Fillimisht lojtari u përfol për një lëvizje të mundshme drejt Barcelonës, por pas largimit të trajnerit Xavi, planet e klubit katalanas për të sjellë Greenwood në Camp Nou duket se janë ndalur. Destinacioni që është tashmë në vëmendjen kryesore të anglezit është Juventus. Gjigandët italianë janë të interesuar në shërbimet e Greenwood që prej vitit të kaluar, dhe kanë dërguar disa herë përfaqësues për të parë lojtarin në fushën e blertë.
Ndërkohë përveç Juventus, Greenwood ka tërhequr dhe vëmendjen e Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund. Klubi gjerman pritet të marrë një vendim gjatë javës së ardhshme, nëse do të hidhet në sulm me një ofertë zyrtare për sulmuesin. Drejtori sportiv i klubit, Sebastian Kehl, u pyet nga mediat për interesimin ndaj Greenwood, por Kehl refuzoi të komentojë në këtë pikë të sezonit. Atletico nga ana tjetër ende nuk ka vendosur nëse do të ndjekë seriozisht Greenwood këtë merkato vere.
Anglezi shënoi 8 gola për Getafe gjatë sezonit që lamë pas, dhe u shpall lojtari më i mirë i ekipit. Ambicia e tij është rikthimi në kombëtaren angleze të futbollit, por Greenwood është ende shumë larg objektivit të tij. Trajneri Southgate e ka zgjedhur tashmë grupin që do të marrë pjesë në europianin e këtij viti dhe Greenwood nuk është pjesë e tij.