Mediat angleze kanë bërë me dije se Liverpool është duke monitoruar yllin e Real Madrid, Arda Guler. Turku ka impresionuar me paraqitjet e tij gjatë sezonit që lamë pas, pavarësisht se u aktivizua në pak ndeshje me madrilenët. Guler ishte gjithashtu autor i një goli spektakolar me Turqinë, në sfidën e parë të turqëve në Euro 2024. Por a do ta ketë Liverpool të lehtë të bëjë të vetin një nga lojtarët më premtues të kampionëve në fuqi të Europës?
“The Reds” janë të interesuar për disa nga lojtarët e galaktikëve, dhe duket se Arda Guler është opsioni më i mundshëm për t’u realizuar. Vet lojtari ka shprehur dëshirën e tij për të mos u larguar asnjëherë nga Real Madrid, por me ardhjen e Kylian Mbappe në ekip, hapësirat për të pritet të jenë akoma më të vogla. Kjo është dhe arsyeja se përse Guler është duke menduar dhe një huazim tek Real Sociedad për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, një transferim përfundimtar tek Liverpool është një alternativë shumë më tërheqëse.
Trajneri i ri i ekipit anglez, Arne Slot, thuhet se është adhurues i Guler, por drejtuesit e Liverpool nuk përjashtojnë dhe mundësinë për të afruar lojtarë të tjerë nga Real Madrid në Anfield. Një nga emrat më të linkuar është ai i Rodrygo. Pas lajmit për afrimin e Kylian Mbappe në Madrid, të shumtë kanë qënë zërat që kanë folur për një largim të mundshëm të Rodrygo nga Santiago Bernabeu. Pavarësisht se trajneri Ancelotti ka insistuar se Rodrygo është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, nuk do të ishte çudi nëse ky i fundit do të luante një ditë në Premier League. Sidomos duke marrë parasysh numrin e madh të lojtarëve që Real Madrid ka tashmë në dispozicion në repartin e sulmit.
Megjithatë, për momentin, lojtari që ka më shumë shance të largohet nga klubi madrilen është Arda Guler, dhe Liverpool po e ndjek situatën me vëmendje. Deri në fund të Euro 2024, nuk pritet të ketë zhvillime konkrete, duke marrë parasysh dhe faktin se klube të tjera gjithashtu janë në lojë dhe të interesuara për kartonin e talentit turk të Real Madrid.