Manchester United duke përgatitur një ofertë të dytë për Jarrad Branthwaite. Ky është lajmi që kanë bërë të ditur mediat angleze, teksa Everton ka refuzuar një ofertë të mëparashme nga “Djajtë e Kuq”, në vlerën e 45 milionë paundëve. Tashmë që është konfirmuar lajmi se Erik ten Hag do të jetë në krye të Manchester United, drejtuesit e klubit po planifikojnë ndryshimet për sezonin e ardhshëm.
Branthwaite është një nga objektivat kryesore të United për sezonin e ardhshëm, duke marrë parasysh problemet e shumta të anglezëve në mbrojtje sezonin që lamë pas. Duke llogaritur dhe largimin e Raphael Varane, nevoja për një qendër-mbrojtës që ofron siguri është akoma më e madhe në Old Trafford. Branthwaite nuk ia doli dot të siguronte një vend në kombëtaren angleze në Euro 2024, dhe kjo do të thotë që lojtari mund të fokusohet totalisht në të ardhmen e tij, dhe planet për sezonin e ardhshëm.
Everton kërkon rreth 70 milionë paundë për talentin anglez, një shifër e lartë, por drejtuesit e klubit e shohin si të arsyeshme. Sidomos duke marrë parasysh faktin se lojtari ka tërhequr dhe vëmendjen e Real Madrid. Madrilenët gjithashtu janë të interesuar për përforcime në mbrojtje, pas lajmit për largimin e Nacho drejt Arabisë Saudite. Për momentin, objektivi kryesor i Real Madrid në prapavijë është Leny Yoro.
Francezi aktivizohet me Lille dhe konsiderohet një nga talentet më premtues në Europë. United gjithashtu po monitoron Yoro, por besohet se ky i fundit është më i prirur për të pranuar një ofertë nga Real Madrid. Megjithatë, madrilenët ende nuk janë futur në bisedime të avancuar me lojtarin dhe gjithçka pritet të vendoset në përfundim të Euro 2024.