Arsenal, Liverpool dhe Chelsea janë të gjithë në ndjekje të mbrojtësit të talentuar italian, Riccardo Calafiori. Lojtari aktivizohet me Bologna, dhe drejtuesit e klubit thuhet se janë të gatshëm të presin oferta për kartonin e tij, në këtë merkato vere. Sidomos, pas paraqitjeve mjaft të mira të mbrojtësit në Euro 2024, pavarësisht eleminimit të hershëm të Italisë.
Calafiori u aktivizua në pjesën më të madhe të sezonit që lamë pas, si qendërmbrojtës. Megjithatë, lojtari ka luajtur dhe si mbrojtës i majtë gjatë periudhës kur aktivizohej me Roma dhe FC Basel. Drejtuesit e Arsenal kanë shprehur në mënyrë konkrete interesin e tyre për talentin italian. Megjithatë, shumë gjëra do të varen nga Jakub Kiwior i cili është në shënjestrën e Juventus dhe Milan. Në rast se ky i fundit largohet nga Arsenal, Mikel Arteta dhe drejtuesit e klubit londinez mund të ndjekin më seriozisht Calafiori, për ta sjellë atë në Emirates Stadium.
Ndërkohë përsa i përket Liverpool, drejtori i ri sportiv i klubit, Richard Hughes, është një adhurues i madh i Calafiori. Hughes ka ndjekur zhvillimin e italianit, që kur ai ishte pjesë e Bournemouth dhe për më shumë, Liverpool ka nevojë për përforcime në krahun e majtë të mbrojtjes. Chelsea gjithashtu është i interesuar për mbrojtësin, por blutë e Londrës sipas të gjitha gjasave do të jenë të detyruar të shesin lojtarë nëse duan të afrojnë Calafiori.
Bologna e ka pranuar tashmë se lojtari është drejt largimit, dhe pritet të kërkojë mbi 40 milionë paundë, për këdo ekip që interesohet në shërbimet e lojtarit. FC Basel do të përfitojë 40% të kësaj shume, në rast të një marrëveshjeje potenciale, duke qënë se ky akord parashikohej në marrëveshjen mes Bologna dhe klubit zvicerian. Nëse Calafiori transferohet drejt një klubi në Premier League, kjo pritet të bëhet me dije vetëm në përfundim të Euro 2024.