Arsenal dhe Manchester United duket se do të përfshihen në një luftë financiare, për të siguruar shërbimet e Marc Guehi të Crystal Palace. Mbrojtësi i talentuar i Palace ka shkëlqyer me Anglinë në Euro 2024, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve rivale angleze, dhe jo vetëm. Mediat angleze kanë bërë me dije se lojtari ka refuzuar propozimin e Crystal Palace për rinovim kontrate, dhe kjo ka vënë në lëvizje Arsenal dhe Manchester United.
Guehi ka më pak se 2 vite në kontratën e tij aktuale me Palace, dhe klubi mund të jetë i detyruar të shesë lojtarin, për të mos e humbur atë me kosto zero më vonë. Drejtuesit e Manchester United janë të impresionuar me aftësinë e lojtarit për të marrë përgjegjësi të mëdha në krahun e majtë të mbrojtjes. Arsenal gjithashtu vlerëson fleksibilitetin e Guehi, për të luajtur në pozicione të ndryshme në fushën e blertë.
Megjithatë, “Djajtë e Kuq” e kanë një emër konkret përsa i përket mbrojtjes në merkaton e verës, dhe ai është Jarrad Branthwaite. Drejtuesit e “Djajëve të Kuq” kanë gjetur akordin me lojtarin përsa i përket termave personale të kontratës, por problem mbetet shifra që Everton kërkon për të lënë të lirë lojtarin. Kjo shifër është 80 milionë paundë dhe Everton nuk pritet të bëjë kompromis, duke qënë se Branthwaite ka ende 3 vite në kontratën e tij me klubin. Duke u nisur nga kjo situatë, United mund të zhvendosë vëmendjen e vet dhe të ndjekë më seriozisht Marc Guehi si objektiv për verën.
Guehi iu bashkua Palace në vitin 2021 nga Chelsea. Blutë e Londrës kanë të drejtën të riblejnë lojtarin, nëse vijnë me një ofertë financiare të njejtë me klubet rivale, që kërkojnë kartonin e tij. Megjithatë, londinezët nuk pritet të hidhen në sulm për mbrojtësin.