Arsenal, Tottenham, dhe Liverpool duket se janë tashmë në një garë të ashpër për të siguruar firmën e asit të Juventus, Federico Chiesa. Trajneri i ri i “zonjës së vjetër”, Thiago Motta ka dhënë dritën jeshile për largimin e mundshëm të Chiesa, në rastin e një oferte të kënaqshme financiare për italianët.
Vlera e kartonit të Chiesa vërtitet në shifrat e 25-30 milionë eurove, dhe sipas mediave angleze, Tottenham është ekipi që kryeson momentalisht garën për të bërë të vetin sulmuesin. Drejtuesit e klubit londinez ishin të interesuar për Chiesa që në merkaton e janarit, por nuk mundën dot të siguronin një marrëveshje në atë periudhë. Megjithatë kësaj rradhe situata duket më favorizuese për Tottenham. Agjentët e klubit thuhet se kanë një marrëdhënie mjaft të mirë me përfaqësuesit e Chiesa. Gjithashtu, Fabio Paratici mund të ndihmojë palët për të gjetur një akord mes tyre. Paratici ishte personi që afroi Chiesa tek Juventus, dhe ky i fundit ka mbajtur dhe rolin e drejtorit sportiv tek Tottenham.
Pavarësisht se 52 vjeçari është larguar nga detyra e tij tek Tottenham, ai është ende në kontakt me figura të rëndësishme të klubit. Paratici ka një marrëdhënie të mirë me presidentin e klubit Daniel Levy, dhe shihet si një figurë me influencë tek spursat, pavarësisht se nuk është më pjesë zyrtare e klubit.
Gjithsesi, Tottenham nuk do ta ketë tërësisht të lehtë afrimin e Chiesa, pasi rruga ka disa pengesa. Juventus mund të nxisë një luftë financiare mes disa klubeve, duke marrë parasysh interesin e madh për italianin. Përveç Arsenal dhe Liverpool, disa klube nga Arabia Saudite gjithashtu kanë shprehur interesin e tyre për Chiesa dhe kjo mund të komplikojë situatën. Gjithsesi, burime pranë lojtarit thonë se sulmuesi nuk është ende i gatshëm të luajë në Arabinë Saudite, pavarësisht përfitimeve financiare.