Fulham ka bërë një ofertë zyrtare për kartonin e Scott McTominay. Klubi thuhet se i ka ofruar Manchester United 20 milionë paundë për mesfushorin skocez, oferta e dytë kjo pas një oferte fillestare. Sipas burimeve pranë klubit, “Djajtë e Kuq” pritet të refuzojnë edhe këtë ofertë, por e ardhmja e Scott McTominay mbetet e paqartë.
Në turin e ndeshjeve para-sezonale në Shtetet e Bashkuara, trajneri Ten Hag u shpreh se ishte i lumtur për faktin që kishte Scott McTominay në skuadrën e tij. Megjithatë, kur u pyet nëse skocezi do të vazhdojë të jetë pjesë e Manchester United, tekniku hollandez nuk dha dot një përgjigje konkrete. Kujtojmë se Scott McTominay u përfol për t’u larguar nga klubi, edhe verën e kaluar, teksa West Ham pati shfaqur interes për të.
United ka nevojë të gjenerojë fonde, për të përforcuar skuadrën në prag të sezonit të ri. Leny Yoro, i cili iu bashkua klubit këtë merkato vere u dëmtua në turin para-sezonal dhe do të jetë jashtë fushave të blerta për rreth 3 muaj. Rasmus Hojlund gjithashtu u dëmtua por dëmtimi i sulmuesit për fat të mirë nuk është aq serioz sa ai i Yoro.
Ndërkohë përsa i përket Scott McTominay, lojtari kërkon më shumë minuta në Premier League, por Ten Hag duket se nuk mund t’i garantojë lojtarit një vend titullari në skuadër. Sezonin e kaluar mesfushori u aktivizua në 32 përballje në kampionat, ku në 14 prej këtyre u fut në fushë si zëvëndësues.
Duke qënë se United ka dështuar të shesë deri tani Casemiro, Masoun Mount apo dhe Marcus Rashford, nevoja për të siguruar fonde është më e madhe në Old Trafford. Kjo mund të bëjë që drejtuesit e klubit të pranojnë një ofertë për McTominay, edhe pse mund të jetë më e ulët se pritshmëritë fillestare.