Drejtuesit e Arsenal janë duke menduar mundësinë për të sjellë në Emirates Stadium, yllin francez të Bayern Munich, Kingsley Coman. Arsenal kërkon që lojtari të bëhet pjesë e skuadrës në formë huazimi për sezonin e ardhshëm, dhe duket se Bayern Munich është gati të lejojë lëvizjen. Megjithatë, sipas mediave angleze, drejtuesit e klubit gjerman kërkojnë që në çdo kontratë të mundshme huazimi, të përfshihet opsioni për blerjen e plotë të kartonit të Coman, në përfundim të periudhës së huazimit.
Burime pranë francezit bëjnë me dije se lojtari është i prirur t’i thotë po një lëvizjeje drejt Arsenal këtë verë. Gjithsesi, Coman kërkon të sigurohet fillimisht se do të luajë rregullisht nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta. Kjo pasi Bukayo Saka është një titullar tashmë i padiskutueshëm i Arsenal në krahun e djathtë të sulmit. Sezonin e kaluar, Coman u aktivizua në 27 takime me Bayern, dhe duhet përmendur fakti që lojtari ka vuajtur dhe nga dëmtimet e shpeshta në sezonet e fundit.
Coman ka tërhequr vëmendjen dhe të klubeve të tjera europiane, pas lajmit se Bayern është i gatshëm ta lërë të lirë në formë huazimi. Francezi u bë pjesë e Bayern në vitin 2017 nga Juventus, dhe deri më tani ka zhvilluar 294 paraqitje me klubin gjerman. Gjatë këtyre ndeshjeve Coman ka shënuar 63 gola dhe ka dhënë 66 asiste. Lojtari gjithashtu ka fituar Champions League dhe kampionatin gjerman, dhe mentaliteti i tij fitues është një nga kualitetet që trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, vlerëson më shumë tek lojtari.
Arsenal e mbylli sezonin e kaluar në Premier League në vendin e dytë, për të dytin vit rradhazi. Arteta është në kërkim të elementëve që mund t’i ofrojnë skuadrës avantazhin final për të siguruar titullin kampion në Angli, dhe për t’i dhënë fund në të njejtën kohë, mbretërimit të gjatë të Manchester City.