Drejtuesit e Brentford duket se ende nuk janë gati të heqin dorë prej bomberit të tyre, Ivan Toney. Bordi i klubit kërkon të paktën 60 milionë paundë për kartonin e lojtarit, dhe sulmuesi anglez rrezikon të mbetet pjesë e “bletëve”, edhe për sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve të mediave angleze, Manchester United dhe Chelsea mbeten të interesuar për asin e Brentford, por asnjë prej klubeve nuk është i gatshëm për të shpenzuar 60 milionë paundë për lojtarin. Rivalët e Premier League janë duke shqyrtuar mundësinë e huazimit të Toney, dhe blerjen përfundimtare të kartonit të tij në një moment të dytë të sezonit. Por akordi me Brentford pritet të jetë i vështirë për t’u arritur, duke u nisur dhe nga situata delikate e lojtarit.
Kontrata e Toney skadon sezonin e ardhshëm dhe duket se lojtari nuk dëshiron të firmosë një rinovim. Kjo e vendos Brentford në një pozitë të vështirë pasi klubi mund të humbasë asetin e vet më të çmuar me kosto zero. Kjo është dhe arsyeja se përse çmimi i kartonit të lojtarit është më i ulët tani, në krahasim me muajin janar, kur përllogaritej në shifrat e 100 milionë paundëve.
Prej shumë kohësh, Arsenal shihej si klubi që ishte më afër transferimit të anglezit, por londinezët vendosën të ndjekin opsione të tjera në repartin e sulmit. Më kryesori është bomberi i Napoli, Victor Osimhen. Nigeriani do t’i kushtojë Arsenal më shumë sesa afrimi i mundshëm i Toney, por mosha më e re e lojtarit si dhe paraqitjet me Napoli e bëjnë atë një aset më të çmuar në treg. Chelsea nga ana tjetër gjithashtu po monitoron opsione të tjera në treg përsa i përket sulmit, pasi blutë e Londrës nuk mund të paguajnë shifrën e kërkuar nga Brentford për Toney.