Liverpool është ende në kërkim të përforcimeve në mesfushë, pas refuzimit të Martin Zubimendi, i cili zgjodhi të qëndrojë tek Real Sociedad. Tashmë “The Reds” kanë vendosur vëmendjen e tyre tek asi i Atalanta, Teun Koopmeiners. Juventus është gjithashtu në ndjekje të mesfushorit, dhe për momentin italianët janë favoritë për të firmosur me lojtarin.
Liverpool ende nuk ka sjellë lojtarë të rinj në Anfield këtë sezon, gjë që ka shqetësuar shumë fansa të klubit. Sidomos duke marrë parasysh largimet e Fabio Carvalho, Sepp van den Berg dhe Bobby Clarke. Megjithatë, trajneri Arne Slot është shprehur i pashqetësuar për situatën, duke komentuar:
“Unë i besoj ekipit tim. E kam thënë dhe më parë, kam trashëguar një skuadër mjaft të mirë, me një grup lojtarësh të rinj. Ne u besojmë atyre. Ata a kanë provuar se mund t’i besojmë.”
Kapiteni Virgil van Dijk nga ana tjetër ishte më direkt me deklaratat e tij, duke shprehur dëshirën për afrime të reja në ekip. Hollandezi u shpreh:
“Qartësisht, mendoj se duhet të sjellim më shumë lojtarë të rinj, duke parë se sa i gjatë është sezoni. Por mendoj se ata po punojnë mbrapa skenave dhe jam plotësisht i bindur se klubi do të bëjë gjënë e duhur dhe do të mundohet të bëjë bashkë skuadrën më të mirë për të qënë kompetitiv në të gjitha kompeticionet.”
Ndërkohë përsa i përket Teun Koopmeiners, sipas mediave angleze, Liverpool është në komunikim të vazhdueshëm me Atalanta për situatën e lojtarit. Hollandezi ishte pjesë kyçe e suksesit të Atalanta sezonin që lamë pas, duke ndihmuar klubin italian të ngrejë lart trofeun e Europa League. Koopmeiners mendohet se ka rënë dakord me Juventus përsa i përket termave personalë të kontratës, por Liverpool është ende në lojë. Kartoni i lojtarit vlerësohet në shifrat e 60 milionë eurove.