Sulmuesi i Sporting Lisbon, Viktor Gyokeres, ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha në Premier League, si dhe PSG në Francë. Arsenal, Chelsea, Liverpool dhe Tottenham janë të gjithë duke monitoruar lojtarin, i cili ka nisur sezonin e ri në mënyrë fantastike me Sporting, duke shënuar plot 9 gola në 7 ndeshje. Suedezi gjithashtu ka shënuar 3 gola me kombëtaren e tij, në 2 takimet e para në Nations League.
Arsenal dhe Liverpool janë 2 klubet angleze që për momentin janë para rivalëve të tyre në lidhje me një transferim potencial të Gyokeres. Arsenal ka kërkuar informacion për lojtarin nga Sporting, por në të njejtën kohë, londinezët janë duke konsideruar edhe alternativa të tjera për repartin e sulmit. Mes tyre janë Jonathan David, Marcus Thuram dhe Benjamin Sesko.
Ndërkohë përsa i përket Liverpool, “The Reds” gjithashtu janë në lojë për transferimin e suedezit. Klubi pritet të ketë largime të mëdha në fund të këtij sezoni dhe trajneri Arne Slot duhet të ketë sa më shumë opsione në dispozicionin e tij. Chelsea nga ana tjetër po monitoron lojtarin, por blutë e Londrës ndodhen në një situate delikate financiare dhe nuk kanë fleksibilitetin e duhur për të realizuar një lëvizje, për momentin.
Por cila është vlera e kartonit të Viktor Gyokeres? Në kontratën e lojtarit ka një klauzolë prej 83 milionë paundësh për prishjen e saj. Sulmuesi ka shënuar plot 128 gola në 287 paraqitje si profesionist. Rekordi i 26 vjeçarit tek Sporting është akoma më mbresëlënës, teksa Gyokeres ia ka dalë të shënojë plot 52 herë në 57 takime. Kuptohet se Premier League është një kampionat me një nivel më të lartë, dhe suedezi do të duhet të përshtatet me futbollin në Angli. Megjithatë, shumë klube gjigande angleze duket se janë të gatshme të hedhin hapin për transferimin e tij.