Mediat angleze kanë raportuar se Manchester United po përgatit një ofertë zyrtare për sulmuesin e PSG, Randal Kolo Muani. “Djajtë e Kuq” janë të gatshëm të paguajnë rreth 70 milionë euro për francezin, duke u nisur dhe nga starti i vështirë i Joshua Zirkzee në Old Trafford. Sulmuesi iu bashkua United nga Bologna në merkaton e verës, por mund të largohet shumë shpejt nga klubi, pasi ka dështuar të ketë impaktin e pritur prej tij, në takimet e para. Gjithsesi, hollandezit pritet t’i jepet kohë deri në fund të sezonit, pasi është ende herët për të marrë një vendim.
Megjithatë, drejtuesit e United kërkojnë të sjellin në ekip një emër të konsoliduar për të ndihmuar repartin ofensiv, dhe Kolo Muani duket një alternativë mjaft solide. Pavarësisht largimit të Kylian Mbappe nga PSG, Muani nuk ka pasur impakt më të madh me lojën e tij në Paris. Kujtojmë se sulmuesi u bë pjesë e klubit francez në verën e vitit 2023, për shifrën e 95 milionë eurove. Tashmë parizienët kanë shancin të rikuperojnë një pjesë të madhe të kësaj shifre, për ta investuar më pas në lojtarë të tjerë.
Trajneri Luis Enrique ka preferuar Goncalo Ramos dhe Desire Doue përsa i përket qendrës së sulmit. Ndërkohë përveç faktit se lojtari e ka humbur tashmë rolin e titullarit në Paris, drejtuesit e United janë të motivuar për ta sjellë në Old Trafford, dhe për shkak të stilit të tij të lojës. Kolo Muani ka treguar se mund të luajë dhe në krah si një anësor, duke i ofruar më shumë fleksibilitet trajnerit Erik ten Hag.
Disa fansa të Manchester United janë shprehur të shqetësuar për faktin se PSG, duket se e ka mjaft të lehtë të heqë dorë prej francezit, duke vendosur kështu në pikëpyetje aspekte të lojës së tij. Gjithsesi, duket se klubi do të bëjë një përpjekje për të sjellë në Old Trafford lojtarin e talentuar.