Trajneri i Sporting Lisbon, Ruben Amorim, ka pranuar paraprakisht të jetë jetë trajneri i ardhshëm i Manchester United, pas lajmit për shkarkimin e Erik ten Hag. Klubi anglez është në bisedime me Sporting për të rënë dakord mbi aspektin financiar të marrëveshjes, por zëra pranë United kanë bërë me dije se anglezët nuk e kanë problem të paguajnë klauzolën për prishjen e kontratës së Amorim.
Tekniku i Sporting ishte përfolur së fundmi për një transferim të mundshëm tek Manchester City, dhe shihej nga “qytetarët” si pasuesi ideal i trajnerit Pep Guardiola, në rast se ky i fundit largohet nga Etihad. Për më shumë, City ka caktuar si drejtorin e ri sportiv të klubit, Hugo Viana, ish-drejtorin sportiv të Sporting. Ky i fundit ka një marrëdhënie mjaft të mirë me Amorim, pasi dyshja ka punuar së bashku. Megjithatë, duket se United ka arritur të bindë trajenrin portugez që të vijë në krye të pankinës së Old Trafford.
Amorim ishte në bisedime me West Ham United në fillim të këtij viti, por klubi vendosi të emërojë ish-trajnerin e Wolves dhe Sevilla, Julen Lopetegui. Amorim ka qenë në krye të Sporting që prej vitit 2020 dhe ndihmoi klubin t’i jape fund periudhës së gjatë 19-vjeçare pa titull në vitin 2021. Amorim ishte gjithashtu pjesë e një internship-i nën drejtimin e Jose Mourinho, gjatë kohës kur Jose ishte po ashtu trajner i skuadrës në Old Trafford.
Portugezi pritet t’i kushtojë United 10 milionë euro, një shumë e cila konsiderohet një tarifë e pranueshme nga drejtuesit e klubit. Kjo pasi opsionet e tjera në treg gjithashtu janë të limituara përsa i përket trajnerëve që janë në nivelin e duhur për të marrë drejtimin e “Djajëve të Kuq” në planin afatgjatë.