Pas fitores ndaj Aston Villa, dhe pas humbjes së Manchester City përballë Brighton, Liverpool kryeson tashmë garën në Premier League në këtë fazë të sezonit. Ekipi i Arne Slot renditet 5 pikë para ndjekësve më të afërt, Manchester City. “Qytetarët” po kalojnë një moment mjaft të vështirë, teksa janë mposhtur në 4 ndeshjet e fundit. Ndërkohë, Alexis Mac Allister ka komentuar mbi idenë se ekipi i tij është tashmë favorit për të fituar Premier League. Argjentinasi u shpreh:
“Nëse jemi në krye të kampionatit me 5 pikë diferencë kjo do të thotë diçka. Por duhet të ecim hap pas hapi. Nëse do të më pyesje para se të fillonte sezoni nuk do të thoja se jemi pretendentë për të fituar, por tani duket se po.”
Liverpool është paraqitur mjaft mirë nën drejtimin e trajnerit Arne Slot, duke fituar 15 nga 17 ndeshjet nën drejtimin e hollandezit. Gjithsesi, tekniku i “The Reds” është treguar i qartë për pritshmëritë që pret nga ekipi i tij. Slot tha:
“Jemi shumë të lumtur që shumica e lojtarëve tanë kanë arritur të jenë në formë të mirë fizike gjatë këtyre ndeshjeve. Nëse shikon përballjet në vijim, janë shumë të vështira. Do të jetë një sezon i vështirë në përgjithësi. Diferencat janë të vogla, kemi një avantazh por është i vogël. Ka shumë sfida përpara nesh.”
Liverpool kërkon të fitojë përsëri titullin e Premier League, pas suksesit nën drejtimin e Jurgen Klopp në sezonin 2019-2020. Ish-sulmuesi i klubit, Steve McManaman, tha se Liverpool ka shancin t’i shkojë deri në fund kësaj gare. Në organikën e “The Reds” gjenden fitues të mëparshëm të Premier League dhe UEFA Champions League. Nëse lojtarët arrijnë të shmangin dëmtimet, Liverpool ka një shanc mjaft të mirë për t’u shpallur përsëri kampion në Angli.