Sulmuesi i Manchester United, Joshua Zirkzee, ka tërhequr së fundmi vëmendjen e dy gjigandëve italianë, Juventus dhe Napoli. Hollandezi u bë pjesë e Manchester United në fillim të këtij sezoni nga Bologna, për shifrën e 36.5 milionë paundëve. Megjithatë, Zirkzee ka dështuar të ketë impaktin e pritur prej tij në Old Trafford, deri më tani. Eksperienca negative në Premier League kulminoi me zëvëndësimin e tij në minutën e 33’, në sfidën përballë Newcastle.
Gjithsesi, Juventus dhe Napoli janë ende të interesuar për Zirkzee, duke u nisur dhe nga paraqitjet e tij fantastike me Bologna. Të dy gjigandët italianë janë duke u munduar të shfrytëzojnë situatën delikate të sulmuesit në Old Trafford, për ta bindur atë që të rikthehet përsëri në Serie A. Megjithatë, hollandezi duket se ende kërkon të luftojë për vendin e tij të titullarit tek Manchester United.
Trajneri i “Djajëve të Kuq”, Ruben Amorim, shpjegoi për mediat arsyen se përse zëvëndësoi Joshua Zirkzee që në pjesën e parë në sfidën përballë Newcastle. Tekniku portugez tha:
“Josh është një lojtar i mirë. Do të vazhdojmë ta suportojmë atë. Për mua ishte një vendim shumë i vështirë, por kam folur me Josh pasi ishte e rëndësishme t’i përcillja atij mesazhit. Duhej që Josh të linte fushën për të ndihmuar ekipin…Skuadra po vuante dhe kishim nevojë për një tjetër mesfushor.”
Por Joshua Zirkzee padyshim që nuk ishte problemi i vetëm i United në disfatën ndaj Newcastle. “Djajtë e Kuq” kanë grumbulluar vetëm 22 pikë deri më tani këtë sezon në Premier League. United mban momentalisht vendin e 14 në renditjen e përgjithshme në kampionat dhe skuadra ndodhet vetëm 7 pikë larg zonës së ftohtë të rënies nga kategoria. Mbetet të shohim nëse Ruben Amorim do të arrijë të kthejë situatën në favor të “Djajëve të Kuq.”