Pavarësisht raportimeve për largime të shumta në fund të sezonit tek Manchester United, duket se Kobbie Mainoo dhe Alejandro Garnacho do të vazhdojnë të jenë pjesë e “Djajëve të Kuq.” Të dy lojtarët i përshtaten strukturës që trajneri Ruben Amorim kërkon të ndërtojë në Old Trafford. Këto ditë, në mediat angleze qarkulloi lajmi se drejtuesit e klubit ishin të gatshëm të dëgjonin oferta për Garnacho dhe Mainoo, duke qenë se ishte e nevojshme edhe për të respektuar rregullat financiare të Premier League.
United është prej kohësh duke përgatitur një kontratë të re për Mainoo, dhe anglezi ndihet i vlerësuar në Old Trafford. Momentalisht, Kobbie ka një kontratë aktive deri në vitin 2027, me opsionin për të rinovuar dhe 1 vit ekstra. Me ardhjen e Manuel Ugarte në ekip, United ka tashmë një dyshe mjaft premtuese në mesfushë, teksa Mainoo dhe Ugarte kanë shfaqur shenja pozitive përkrah njëri-tjetrit.
Garnacho nga ana tjetër ka një kontratë aktive deri në vitin 2028. Pavarësisht lënies në stol për disa sfida nga trajneri Amorim, argjentinasi nuk e ka humbur motivimin dhe kërkon të provojë talentin e tij në Old Trafford.
United duhet të shesë lojtarë, në mënyrë që t’i lërë vetes hapësirë financiare për afrime të reja në ekip. Për momentin, fokusi i klubit është largimi i lojtarëve që nuk janë pjesë e filozofisë së teknikut Amorim. Mes tyre, ndër më të lakuarit këto kohë ka qenë Marcus Rashford. Anglezi e ka shprehur qartë dëshirën e tij për t’u larguar nga Old Trafford dhe për të nisur një aventurë të re. Mes ekipeve që kanë shprehur interes për të janë PSG si dhe Milan në Itali. Të dyja klubet janë në kontakt me agjentin e lojtarit dhe mbetet për t’u parë nëse sulmuesi do të largohet.