Për herë të parë që prej ndarjes së ish-Jugosllavisë, tifozët maqedonas kanë shansin të shikojnë kombëtaren e tyre në faqen e katalogut zyrtar të një Europiani. Kjo gjë është pritur me mjaft gëzim nga fansat, dhe sidomos koleksionistët, të cilët janë rreshtuar në rradhë për të blerë kopjen e tyre të katalogut zyrtar.

Sensacioni i fansave maqedonas fillimisht u përhap në rrjetet sociale, ku qarkulluan dhe imazhet e para të katalogut nga shtëpia botuese italiane Panini. Më pas, fansat e kombëtares modeste ballkanase pritën në rradhë tek World Press, dyqani i librave në qendër të Shkupit, për të bërë të tyren katalogun dhe stikerat e futbollistëve.
Emilija Buraliev, një qytetare maqedonase, rrëfeu për mediat se si koleksionimi i stikerave të futbollistëve ishte kthyer në pasionin e saj. Kjo gjë u kthye në një traditë familjare, që prej momentit kur djali i saj 6 vjeçar filloi të luante futboll.
“Çdo vit që organziohej Europiani apo Botërori ne blinim katalogun dhe mundoheshim ta plotësonim të gjithin.
Emilija Buraliev
Pjesa më argëtuese e procesit ishte shkëmbimi i stikerave të futbollistëve me koleksionistët e tjerë, pranë parkut në qendër të Shkupit. Unë kisha rolin e shoferes, ndërsa djali im shkëmbente stikera me të tjerët. Tani ai është 14 vjeç dhe nuk luan më futboll, por ne ende na pëlqen të koleksionojmë katalogët e futbollistëve. Sidomos këtë vit duke qenë se Maqedonia është pjesë e kompeticionit.” – tha Emilija për një media lokale.
Tradita e koleksionimit të stikerave të futbollistëve ka qenë një trend i hershëm në ish-Jugosllavi. Në vitet 70’ dhe 80’ kishte një interes mjaft të madh në këtë veprimtari, dhe stikerat nuk i përkisnin vetëm fushës së sportit, por dhe filmave, artit, superheronjëve etj. Në Maqedoninë e Veriut, koleksionistët kanë dhe faqen e tyre zyrtare në internet ku organizojnë takime me njëri-tjetrin.