Mbrojtësit e Liverpool, Virgil Van Dijk and Joe Gomez janë rikthyer në trajnim me pjesën tjetër të ekipit. 2 gjigandët e mbrojtjes ishin jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë, pas dëmtimeve të rënda fizike.
Hollandezi Van Dijk ka shpenzuar më shumë se 9 muaj jashtë fushave, pas dëmtimit të marrë në ndeshjen përballë Everton tetorin e kaluar. 30 vjeçari pësoi një këputje në ligamentin e gjurit, e cila kishte të nevojshme ndërhyrjen për t’u rikuperuar. Ndërkohë nga krahu tjetër, Gomez ka humbur 8 muaj jashtë fushave pas një dëmtimi në gju, të marrë në seancë stërvitore me kombëtaren angleze në nëntor.
Të dy lojtarët u rikthyen në fushë në përballjen miqësore mes Liverpool dhe Hertha Berlin. Pavarësisht aktivizimit të yjeve në repartin difensiv, “The Reds” pësuan 4 gola, duke humbur ndeshjen në shifrat 4-3. Por gjithsesi, kjo humbje nuk ka mërzitur aspak trajnerin Jurgen Klopp, i cili u shpreh i lumtur për rikthimin e lojtarëve të tij nga dëmtimi. Gjermani deklaroi pas ndeshjes:
“Ishte një ndjesi e mirë…Virg nuk luajti futboll për rreth 260 ditë, dhe Joe gjithashtu. Prandaj është kënaqësi t’i shohësh të rikthyer. Ky ishte hapi i parë dhe ishte mjaft i rëndësishëm.”
Ishte vet Van Dijk i cili pas ndeshjes shprehu mirënjohjen për fansat që e kanë mbështetur vazhdimisht, gjatë kësaj periudhe mjaft të vështirë për të. Lojtari postoi në Twitter:
“Përpara 285 ditësh, fillova një udhëtim për t’u rikthyer përsëri në fushë. Nuk është e lehtë të shpreh sesi ndihem, por është e rëndësishme për mua të them se jam mirënjohës për suportin e kaq shumë njerëzve të jashtëzakonshëm.”
“The Reds” pësuan një krizë në repartin difensiv gjatë sezonit të kaluar, dhe e mbyllën Premier League në vendin e tretë. Gjithsesi, të besuarit e Klopp duket se janë në rrugën e duhur këtë vit, pasi tashmë do të jenë përsëri një ekip i konsoliduar në mbrojtje.