Alexis Mac Allister ishte padyshim një nga lojtarët më të rëndësishëm në suksesin historik të Argjentinës, në botërorin e Katarit. Performancat fantastike të mesfushorit nuk kishin si të kalonin pa u vënë re dhe nga drejtuesit e Brighton, klubit të tij akutal. Falë paraqitjeve në Kupën e Botës, shumë klube “big” në arenën europiane kanë targetuar Mac Allister dhe kërkojnë shërbimet e tij.
Kjo me siguri do të vendosë në vështirësi drejtuesit e Brighton, dhe drejtori ekzekutiv i klubit, Paul Barber, duket se e ka të qartë fatin e talentit në kokën e tij. Ai u shpreh për mediat mbi të ardhmen e Mac Allister në klub:
“Sigurisht që atë do ta kërkojnë klube të tjera, jemi shumë të ndërgjegjshëm për këtë, por ne shpresojmë ta mbajmë këtu për sa më shumë të jetë e mundur. Sigurisht, kur lojtarët luajnë mirë, siç kemi parë në muajt e fundit, ata tërheqin interesin e klubeve të mëdha. Janë klube që kanë më shumë para dhe kanë mundësinë t’u ofrojnë lojtarëve një nivel të ri loje, e kuptojmë këtë dhe nuk jemi naivë.”
Barber shtoi:
“Gjithçka që mund të bëjmë është të mbrojmë veten tone me anë të kontratave dhe të shpresojmë të mbajmë lojtarin për sa më shumë të jetë e mundur. Por kemi të bëjmë me një djalosh të ri që sapo fitoi Kupën e Botës në moshën 23 vjeçare…”
Momentalisht Mac Allister ka një kontratë aktive me Brighton deri në vitin 2025, me të drejtën e rinovimit dhe për 1 vit ekstra. Lojtari zhvilloi 6 paraqitje me Argjentinën në Katar, duke arritur të shënojë dhe një gol ndaj Polonisë në ndeshjen e fazës në grupe. Mesfushori u cilësua nga BBC Sport si “Lojtari i ndeshjes” në finale ndaj Francës, pas asistit në golin e Di Maria, dhe paraqitjes së jashtëzakonshme gjatë gjithë lojës.