Thomas Partey e di se mund të humbasë vendin e titullarit tek Arsenal, dhe nëse kjo ndodh, lojtari është gati të largohet nga Emirates. Mesfushori ndodhet momentalisht jashtë fushave të blerta për shkak të një dëmtimi. Sipas prestigjozes Football Insider, Partey mund të qëndrojë jashtë fushave për më shumë se 1 muaj dhe kjo do të vërë në rrezik pozitat e tij në formacionin titullar.
Ganezi startoi sezonin e ri në një pozicion disi jo-familjar për të, si mbrojtës i djathtë. Kjo erdhi si pasojë e mbërritjes në skuadër të Declan Rice, i cili luan në pozicionin e preferuar të Partey, si mesfushor difensiv. Ndërkohë që prej dëmtimit të Partey, Ben White është aktivizuar në krahun e djathtë të mbrojtjes, dhe tashmë ganezi ka frikë se kur të kthehet nga dëmtimi, roli i tij si titullar absolut tek Arsenal mund të jetë në rrezik.
Në rast se kjo ndodh, Partey është i gatshëm të konsiderojë një largim në merkaton e janarit. Por cili mund të jetë destinacioni i rradhës i lojtarit? Mediat angleze kanë linkuar mesfushorin me një lëvizje drejt Juventus, që mendohet se është i interesuar për shërbimet e lojtarit të Arsenal.
Trajneri i italianëve, Maximilliano Allegri, ka akoma më shumë nevojë për opsione në mesfushë, tashmë që Paul Pogba u pezullua për thyerje të rregullave anti-doping. Partey duket një alternativë mjaft e mirë për të mbushur hendekun e Juventus në mesfushë. Lojtari ka zhvilluar paraqitje solide me Arsenal, që prej vitit 2020 kur iu bashkua londinezëve nga Atletico Madrid, për shifrën e 45 milionë paundëve. Mesfushori difensiv ka luajtur 103 ndeshje për Arsenal, dhe ka shënuar 5 gola. E vetmja pikëpyetje mbi të janë dëmtimet, pasi sipas Transfermarket, që prej transferimit të tij në Premier League, Partey nuk është aktivizuar në 45 ndeshje me klubin dhe kombëtaren për shkak të dëmtimeve.