Manchester City nuk shkoi më shumë sesa barazimi 1-1, në sfidën e parë të 1/16-ave përballë Leipzig në Gjermani. “Qytetarët” e Pep Guardiolës dominuan pjesën e parë të takimit, por dështuan të merrnin më të mirën e mundshme nga rastet e krijuara. Kjo dhe falë rezistencës dhe mbrojtjes mjaft solide të gjermanëve.
City ia doli të kalojë në avantazh në minutën e 27’ të takimit me anë të Mahrez. Ky i fundit shfrytëzoi mjaft mirë topin e Gundogan, i cili përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Leipzig. Megjithatë, goli nuk i demotivoi të zotët e shtëpisë, të cilët pavarësisht presionit të anglezëve ia dolën të qetësojnë lojën, duke mbyllur kështu pjesën e parë pa pësuar një tjetër gol, por shumë të vakët në sulm.
Ndryshimi për Leipzig erdhi në të dytën, teksa gjermanët u shfaqën më ambiciozë, duke ushtruar më shumë presion tek kundërshtari. Të zotët e shtëpisë paten dy raste të mira për të barazuar rezultatin me Benjamin Henrichs, por ky i fundit nuk pati fat përballë portës së Ederson. Megjithatë, përpjekjet e Leipzig eventualisht u shpërblyen kur në minutën e 70’ të sfidës, Gvardiol shënoi me kokë nga një goditje këndi.
Mungesa e Kevin de Bruyne u duk qartë në lojën e Manchester City, teksa anglezët e patën të vështirë të krijonin raste të rrezikshme. Haaland nuk rrezikoi asnjëherë seriozisht portën e Leipzig, dhe pavarësisht përpjekjeve në pjesën e dytë, sfida u mbyll në barazim 1-1.
Pavarësisht se rezultati mund të konsiderohet mjaft pozitiv, duke marrë parasysh faktin se erdhi në transfertë, Guardiola priste më mirë nga ekipi i tij, që regjistroi një tjetër barazim pas atij ndaj Nottingham Forest në kampionat. Megjithatë, “qyteterët” kanë të gjitha shanset për të siguruar kualifikimin ndeshjen e ardhshme, teksa gjatë këtij sezoni kanë fituar 17 nga 19 takimet e luajtura në Etihad.