Chelsea ka zyrtarizuar afrimin e Romeo Lavia nga Southampton, për shifrën e 55 milionë paundëve. Mesfushori i talentuar belg ka firmosur për 7 vitet e ardhshme me londinezët dhe u shpreh mjaft i lumtur për aventurën që e pret në Stamford Bridge. Lavia komentoi:
“Jam shumë i lumtur që iu bashkova Chelsea dhe që jam pjesë e këtij projekti premtues. Chelsea është një klub fantastik dhe me histori të madhe, jam i emocionuar që u bëra pjesë e tij. Mezi pres të njoh shokët e rinj të skuadrës dhe të ndërtojmë një kimi, për të arritur gjëra të mëdha së bashku.”
Liverpool gjithashtu ishte i interesuar për kartonin e Lavia, por oferta e “The Reds” prej 46 milionë paundë u refuzua nga Southampton. Lavia është lojtari i dytë që shmang Liverpool, për t’iu bashkuar Chelsea. Kolumbiani Moises Caicedo gjithashtu zgjodhi Chelsea si destinacionin e tij të rradhës, pavarësisht se Liverpool ishte afër arritjes së marrëveshjes me Brighton për transferimin e tij në Anfield.
Talenti belg është produkt i akademisë së Anderlecht. Lojtari iu bashkua fillimisht Manchester City në vitin 2020, por nuk ia doli të gjente hapësira në skuadrën e parë. Kjo ishte dhe arsyeja e largimit drejt Southampton. Pavarësisht kontributit të tij sezonin që lamë pas, “The Saints” nuk ia dolën dot të shmangnin rënien nga kategoria. Për shkak të një kaluzole në kontratën e lojtarit, City do të përfitojë 20% të shumës që Chelsea do t’i paguajë Southampton për Lavia. Ky i fundit u kujdes të falenderonte klubin e tij të vjetër dhe fansat për suportin që i kanë dhënë:
“Nuk do ta harroj kurrë besimin që klubi dhe fansat në mbarë botën më dhanë, dhe shpresoj ta kem shpërblyer besimin tuaj…ky klub do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Ju uroj fat këtë sezon dhe po pres marshimin e klubit në Premier League, atje ku i takon, sa më shpejt.”