Drejtuesit e Chelsea do të kërkojnë largimin e disa lojtarëve nga klubi, gjatë merkatos së janarit, dhe mediat angleze kanë raportuar se një prej tyre mund të jetë dhe Mykhailo Mudryk. Sulmuesi ukrainas e ka patur të vështirë të përshtatet në Stamford Bridge, që prej transferimit të tij nga Shakhtar Donetsk për shifrën e 88.5 milionë paundëve.
Mudryk ka dështuar të bindë dhe trajnerin e ri të Chelsea, Enzo Maresca. Italiani ka bërë të qartë faktin se lojtari ka ende punë për të bërë nëse kërkon të luajë si titullar në Stamford Bridge. Por duket se kjo mundësi mund të mos jetë më në duart e ukrainasit. Vet lojtari thuhet se është në kërkim të një transferimi, pasi kërkon të luajë rregullisht.
Mudryk ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane, përfshirë këtu Bayern Munich, që shprehu interesin për të huazuar lojtarin gjatë janarit të kaluar. Megjithatë, klubi gjerman nuk duket më i interesuar. Në momentet që flasim, klubi që ka shprehur interesin më konkret për ukrainasin e Chelsea është Marseille në Francë. Trajneri i klubit, Roberto de Zerbi, është një adhurues i lojtarit dhe mendon se mund të nxjerrë më të mirën e tij në Ligue 1.
Një lëvizje në formë huazimi është skenari me më shumë gjasa për të ndodhur, tesa ekipet e mëdha zakonisht nuk shpenzojnë shuma të mëdha në merkaton e janarit. Për më shumë, Chelsea do ta kishte gati të pamundur të rikuperonte të njejtën shumë që shpenzoi për të sjellë Mudryk në Londër, duke marrë parasysh formën e lojtarit. Edhe për klubin londinez, skenari më ideal është ai i huazimit, pasi sulmuesi mund të rigjejë formën e mirë dhe të rrisë përsëri vlerën e kartonit të tij.
Mes lojtarëve të tjerë që mund të largohen nga Chelsea në janar janë dhe Axel Disasi, Benoit Badiashile dhe Ben Chilwell.