Chelsea duket se nuk ka ndërmend të ndalet në merkato. Sipas mediave angleze, londinezët janë vënë në lëvizje për të siguruar kartonin e sulmuesit të talentuar të Arsenal, Folarin Balogun. Lojtari nuk është në planet e trajnerit Mikel Arteta, dhe Arsenal është i gatshëm të shesë shërbimet e tij, duke fitur se mund të përfitojë mi 50 milionë paundë për kartonin e Balogun.
Sulmuesi kaloi një sezon fantastik te francezët e Reims, ku luajti si i huazuar. Balogun shënoi plot 22 gola në 39 takime, si dhe regjistroi 3 asiste. Lojtari gjithashtu aktivizohet me kombëtaren e USA, dhe ndihmoi përfaqësuesen e tij të triumfonte në finalen e CONCACAF Nations League ndaj Kanadasë.
Fulham gjithashtu ka shprehur interes për Balogun. Klubi anglez kërkon një alternativë për Aleksandar Mitrovic, i cili sipas të gjitha gjasave do të transferohet tek Al-Hilal në Arabinë Saudite. Megjithatë, sipas raportimeve mësohet se Fulham është i gatshëm të paguajë vetëm 35 milionë paundë për kartonin e talentit. Francezët e Monaco gjithashtu po monitorojnë situatën, dhe thuhet se janë të gatshëm të paguajnë akoma më shumë për shërbimet e Balogun.
Megjithatë, Chelsea mbtet alternativa e parë për vet lojtarin. Pavarësisht shpenzimeve të mëdha në merkato, londinezët kanë ende nevojë për një sulmues, duke marrë parasysh dhe dëmtimin e Nkunku. Armando Broja gjithashtu është i dëmtuar. Kjo do të thotë se opsioni i vetëm real i Chelsea në repartin ofensiv është Nicolas Jackson, sulmuesi i ardhur nga Villarral. Në rast se Balogun ia del të bëhet pjesë e Chelsea, lojtari do të kryesojë vijën e sulmit në Stamford Bridge.
Ndërkohë Romelu Lukaku, i cli është kthyer nga huazimi tek Inter, nuk është në planet e trajnerit Pochettino. Belgu pritet të largohet nga Chelsea, brenda kësaj merkatoje vere, dhe për këtë arsye, nuk shihet si opsion real për sulmin e ekipit.