Deri në ditën e sotme qeveria italiane ndalonte me ligj praninë e fansave në stadium, si pjesë e masave parandaluese për përhapjen e COVID 19. Por, tani që po i afrohemi gjithnjë e më shumë startit të Europianit, kjo gjë do të ndryshojë. Autoritetet italiane kanë dhënë dritën jeshile për një pjesëmarrje minimale prej 25% në stadium, gjatë zhvillimit të kompeticionit në verë. Ky ndryshim erdhi dhe pas presionit mjaft të lartë nga UEFA, e cila kishte bërë të qartë disa herë se nuk do të lejonte as edhe një ndeshje të vetme të Euro 2020, që të luhej pa tifozë.
Bëhet fjalë ekzaktësisht për stadiumin Olimpico të Romës, i cili pas një kohe mjaft të gjatë do të shikojë dhe një herë tifozë në shkallët e tij. Drejtori i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina u shpreh për mediat:

“Italia dhe Roma janë gati! “OK” i marrë nga qeveria për praninë e fansave në stadium është një lajm fantastik. Ne do t’ia përcjellim menjëherë lajmin UEFAs.”
Gabriele Gravina
Ministri Valentina Vezzali gjithashtu konfirmoi lajmin në mënyrë zyrtare nëpërmjet zëdhënësit të tij. Italia ka një detyrë të veçantë, pasi do të jetë ajo e cila do të mirëpresë takimin e parë të kompeticionit. Turqi vs Itali është përballja e parë e cila do të luhet në datë 11 qershor, pikërisht në kryeqytetin italian. Në të njejtin stadium pritet të zhvillohen dhe përballjet e tjera të Italisë, ajo kundër Zvicrës dhe kundër Uellsit. Gjithashtu në Romë do të luhet dhe një çerekfinale.
Deri më tani, duket se çdo gjë po shkon sipas parashikimeve dhe kërkesave të Aleksander Ceferin, presidentit të UEFA. Në rast se Italia është e gatshme të mirëpresë akoma më shumë fansa në stadiume, nuk përjashtohet mundësia e organizimit të ndeshjeve shtesë në gadishullin Apenin.