Italia u eleminua nga Euro 2024 në mënyrë surprizë nga Zvicra. Italianët u mposhtën lehtësisht 2-0 nga Zvicra në Olympiastadion të Berlinit dhe largohen herët nga kompeticioni prestigjoz. Skuadra e Luciano Spallettit dështoi të tregojë edhe karakterin e duhur, që të paktën i karakterizoi në barazimin kundër Kroacisë në ndeshjen e tyre të fundit të grupit.
Ish-sulmuesi anglez Gary Lineker u shpreh mjaft i zhgënjyer me paraqitjen e italianëve, në BBC One:
“Nuk mendoj se kam parë ndonjëherë, në jetën time, një skuadër italiane më të dobët se kjo.”
Në vitin 2006, Italia fitoi Kupën e Botës për herë të katërt në të njejtin stadium që luajtën sot, duke mundur Francën me penallti. Tre vite më parë, Azzurri shkuan në Wembley dhe shkatërruan ëndrrat angleze në një tjetër ndeshje me penallti për të fituar titullin e tretë të Kampionatit Europian.
Ka lojtarë të talentuar në këtë skuadër, por, nga ajo që u pa kundër Zvicrës, mungon karakteri, italianët ishin shumë larg mjeshtërisë së Andrea Pirlos, zgjuarsisë së Marco Materazzit, apo njohurive të mprehta të Leonardo Bonuccit dhe Giorgio Chiellinit. Nga ata që startuan ndeshjen në fitoren ndaj Anglisë në 2021, vetëm portieri Gianluigi Donnarumma, mbrojtësi Giovanni di Lorenzo, mesfushori Nicolo Barella dhe sulmuesi Federico Chiesa ishin në formacionin e Spallettit në performancën e dobët në Berlin.
Ish-kapiteni i Anglisë, Alan Shearer, gjithashtu u shpreh mjaft i zhgënjyer me paraqitjen e azurëve:
“Është e pabesueshme se si ka ndryshuar nga tre vite më parë deri tani. Mbeta vërtet i habitur se sa keq ishte Italia. Ata nuk ofruan asgjë në asnjë pozicion, Zvicra luajti me ta. Ata dominuan ndeshjen dhe nuk i dhanë Italisë asnjë mundësi. Në sulm ishin shumë të dobët, nuk ofruan asgjë përpara portës. Nuk kishte asnjë kërcënim. Ishin shumë të dobët, veçanërisht në pozicionet e avancuara.”