Federeta Angleze e Futbollit kërkon që Gareth Southgate të qëndrojë në krye të kombëtares angleze të futbollit, deri në botërorin e vitit 2026. Kontrata aktuale e Southgate në krye të “3 luanëve” skadon në dhjetor të këtij viti, por një vendim për të ardhmen e tij pritet të merret më përpara. Drejtuesit e federatës duket se do t’i ofrojnë Gareth një kontratë të re, pavarësisht rezultatit të finales së Euro 2024, që do të luhet ditën e diel.
Gjatë gjithë europianit, shumë fansa të kombëtares angleze kanë kritikuar Southgate për taktikat e zgjedhura në fushën e blertë. Kjo ka sjellë dhe një frikë në opinionin publik, se ky mund të jetë kompeticioni i fundit i teknikut anglez nën drejtimin e “3 luanëve”. Megjithatë, duket se kjo nuk do të ndodhë.
Vet Southgate nuk ka bërë publike dëshirat e tij për të ardhmen. Nuk dihet nëse anglezi dëshiron që të marrë drejtimin e një klubi, në përfundim të europianit, apo ka dëshirë të vazhdojë punën me “3 luanët”. Kujtojmë se trajneri ishte një nga alternativat për të zëvëndësuar Erik ten Hag në krye të Manchester United. Megjithatë, drejtuesit e “Djajëve të Kuq” vendosën t’i besojnë përsëri teknikut hollandez, të paktën edhe sezonin e ardhshëm.
Por cili mund të jetë trajneri i ardhshëm i Anglisë, në rast se Gareth Southgate largohet në përfundim të europianit? Mes emrave të lakuar janë tekniku i Newcastle, Eddie Howe, Graham Potter, si dhe ish-trajneri i Chelsea, Mauricio Pochettino.
Performanca e mirë ndaj Hollandës në gjysmëfinale ka qetësuar disi zërat për largimin e Southgate, dhe finalja ndaj Spanjës do të ketë peshë mjaft të madhe në opinionin e fansave, për të ardhmen e anglezit. Kujtojmë se spanjollët janë favoritë të lehtë për të ngritur lart trofeun në Berlin.