Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, ka dhënë një mesazh të fortë për mediat, duke thënë se “është koha që t’a lëmë Cristiano Ronaldon të qetë”. Deklarata erdhi pas aludimeve të portaleve portugeze, se CR7 kishte kërcënuar me largimin e tij nga kombëtarja pas mos-aktivizimit si titullar në ndeshjen ndaj Zvicrës. Ndërkohë Federata Portugeze e Futbollit e përgënjeshtroi lajmin. Trajneri Santos u shpreh:
“Ai nuk më ka thënë asnjëherë se do të largohet nga kombëtarja. Ka ardhur koha të ndalojmë këto kontroversi…Ka ardhur koha që t’a lëmë Ronaldon të qetë, duke qenë të ndërgjegjshëm për atë se çfarë ka dhënë ai për futbollin portugez.”
Santos gjithashtu sqaroi bisedën që kishte bërë me Ronaldo, para se ky i fundit të lihej në stol në sfidën ndaj Zvicrës:
“Fola me të pas drake ditën e ndeshjes dhe e ftova në zyrë. Për arsye që dihen Ronaldo nuk ishte i lumtur për vendimin, pasi ai ka startuar gjithmonë si titullar… Por patëm një bisedë normale në të cilën unë i shpjegova këndvështrimet e mia dhe sigurisht që ai i pranoi. Patëm një bisedë të zakonshme dhe normale.”
Në vend të Ronaldo, në sfidën ndaj Zvicrës startoi 21 vjeçari Goncalo Ramos, i cili në mënyrë të jashtëzakonshme shënoi një tripletë.
Cristiano ndërpreu pak kohë më parë në mënyrë konsensuale, kontratën e tij me Manchester United. Vendimi erdhi pas një interviste mjaft kontroversiale ku Ronaldo kritikoi mjaft rëndë klubin dhe trajnerin Ten Hag. Ish-ylli i Real Madrid është lojtari me më shumë paraqitje në kombëtaren portugeze, plot 195. Ronaldo mban gjithashtu titullin e golashënuesit më të mirë me 118 gola, një rekord absolut.
Mbetet të shohim nëse trajneri Santos do të aktivizojë sulmuesin si titullar në sfidën ndaj Marokut, apo “dënimi” i Ronaldo do të vazhdojë.