Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, është shprehur se Euro 2024 mund të jetë mundësia e tij e fundit për të fituar një trofe me kombëtaren e “3 Luanëve”. Tekniku 53 vjeçar është që prej vitit 2016 në krye të pankinës së Anglisë dhe ka udhëhequr ekipin në gjysmëfinalet e botërorit të vitit 2018, finalen e europianit të vitit 2020, si dhe çerekfinalet e botërorit të vitit 2022.
Kontrata e Southgate skadon në dhjetor të këtij viti, por federata angleze e futbollit duket se ka dëshirë që Southgate të jetë trajner i Anglisë, edhe në botërorin e vitit 2026. Megjithatë, Gareth ka lënë të kuptohet se në rast se Anglia nuk fiton dot europianin e këtij viti në Gjermani, ai mund të largohet nga drejtimi i skuadrës:
“Nëse nuk fitojmë, mbase nuk do të jem më këtu. Ky mund të jetë shanci i fundit. Nëse ne duam të jemi ekip i madh dhe nëse unë dua të jem trajner i madh, atëhere duhet të japim rezultate në momentet kyçe. Mendoj se gjysma e trajnerëve të ekipeve kombëtare largohen në përfundim të një turneu. E tillë është natyra e futbollit të kombëtareve. Jam në këtë pozicion prej gati 8 vitesh tashmë dhe i jemi afruar shumë… Por nuk mund të rri vazhdimisht këtu dhe t’u kërkoj njerëzve të presin pak më shumë, pasi ata do të fillojnë të humbasin besimin tek mesazhi jot.”
Southgate është linkuar nga mediat angleze gjatë javëve të fundit, si një nga alternativat e mundshme për të zëvëndësuar Erik ten Hag në krye të Manchester United, në rast se ky i fundit largohet. Southgate gjithashtu u pyet se përse nuk pranoi të rinovonte kontratën përpara europianit të këtij viti, duke qënë se kjo mundësi iu ofrua nga federata angleze. Tekniku u shpreh se nuk pranoi të rinovojë para europianit, për të mos i shtuar presionin ekipit të tij.