Në prezantimin e tij zyrtar tek Barcelona, Ilkay Gundogan, u shpreh se ka ende shumë për të provuar tek klubi katalanas. Mesfushori gjerman me origjinë turke vendosi t’i bashkohej gjigandëve spanjollë, pasi fitoi të gjitha trofetë e mundshëm gjatë aventurës së tij tek Manchester City. Por duket se Gundogan ka ende ambicie për të fituar trofe, dhe për t’i sjellë sukses Barcelonës. Lojtari u shpreh gjatë prezantimit të tij:
“Edhe pse jam më i madh në moshë, jam i përgatitur për këtë sfidë dhe kam ende shumë për të provuar. Stili i lojës është shumë i ngjashëm me atë tek Manchester City. Guardiola dhe Xavi janë shumë të ngjashëm. Ndjeva një lidhje me Xavi që në momentin e parë që folëm. Kur fola me të e kuptova se Barcelona është në drejtimin e duhur.”
Mesfushori i talentuar shtoi:
“Barcelona është një skuadër e jashtëzakonshme dhe një mundësi për të luajtur në një kampionat dhe vend tjetër. Do të mundohemi të luftojmë për titullin e Champions League. Të veshësh këtë fanellë është një përgjegjësi dhe do të mundohem të jap më të mirën time, për të fituar sa më shumë tituj të jetë e mundur.”
Gundogan gjithashtu theksoi rëndësinë e eksperiencës së tij si mesfushor, dhe mundësinë për të ndarë këtë eksperiencë me talentet e reja tek Barcelona:
“Unë vij me eksperiencë sepse jeta dhe karriera ime nuk kanë qënë të lehta, dhe mendoj se eksperienca ime mund të ndihmojë shumë. Ata (të rinjtë e Barcelonës) janë një grup lojtarësh që luajnë më mirë se unë. Nëse mund t’i ndihmoj me të paktën 1% do të jem i lumtur.”
Kujtojmë se Gundogan iu bashkua Barcelonës me kosto zero nga Manchester City, pas skadimit të kontratës së tij me anglezët. Lojtari firmosi për 2 vite me gjigandët spanjollë.