Tashmë nuk është më sekret, Timo Werner nuk po kalon një kohë të lumtur në Stamford Bridge. Sulmuesi gjerman ka shprehur dhe një herë tjetër dëshirën për t’u larguar nga klubi, teksa ka humbur prej kohësh rolin e titullarit në ekipin e Tuchel.
Askush nuk e ka vënë në dyshim talentin e lojtarit, dhe kjo vërtetohet dhe nga paraqitjet e tij me kombëtaren gjermane. Nën drejtimin e Hansi Flick, Werner është aktivizuar në 6 nga 8 takime, duke shënuar 6 gola. Krejt e kundërt është tabloja në Londër, ku Werner është aktivizuar në vetëm 14 takime në Premier League, duke regjistruar 1 gol dhe 1 asist.
Trajneri Thomas Tuchel preferon të aktivizojë Kai Havertz ose Romelu Lukakun në krye të sulmit, dhe kjo është arsyeja se përse Werner kërkon të largohet. Pas fitores 2-0 të Gjermanisë ndaj Izraelit, lojtari u shpreh:
“Tek Chelsea gjërat nuk po shkojnë ashtu siç do doja unë.”
Werner ka ende një kontratë aktive deri në vitin 2025 me blutë e Londrës. Megjithatë, mediat angleze bëjnë me dije se as klubi, dhe as trajneri Tuchel, nuk kanë qëllim të pengojnë futbollistin nëse ai do të largohet. Chelsea kërkon rreth 40 milionë euro për kartonin e tij, por momentalisht një transferim nuk është i mundur. Kjo për shkak të sanksioneve që qeveria britanike i ka vendosur klubit.
Chelsea nuk mund të negociojë për të shitur apo blerë lojtarë, por gjithsesi, kjo situatë mbetet e përkohshme. Ndër ekipet e interesuara për Werner është dhe Borussia Dortmund. Këta të fundit janë të bindur se Erling Haaland do të largohet në fundit të sezonit, dhe Werner mund të jetë zëvëndësuesi i tij potencial. Por paga e këtij të fundit mund të rezultojë një problem, duke marrë parasysh se në Angli Werner paguhet rreth 16 milionë euro në sezon.