Drejtuesit e Barcelona po shohin mundësinë për të afruar Alphonso Davies në ekipin e tyre, në fund të këtij sezoni. Mbrojtësi i talentuar i Bayern Munich është përfolur prej kohësh për një transferim tek Real Madrid, por duket se rivalët katalanas janë tashmë po ashtu në lojë për shërbimet e Davies. Kujtojmë se lojtarit i skadon kontrata aktuale me Bayern në fund të sezonit, dhe duket se nuk do të rinovojë me gjigandët gjermanë.
Sipas mediave gjermane, oferta finale e Bayern për Davies është tashmë në tavolinë, dhe klubi nuk do t’i ofrojë mbrojtësit një tjetër ofertë nëse ai refuzon të rinovojë. Kanadezi ka plot opsione në Europë, dhe duket se Barcelona është tashmë në lojë, nisur dhe nga fakti se Hansi Flick është në krye të pankinës së katalanasve. Në Gjermani janë të besimit se Davies e pëlqen idenë e ribashkimit me trajnerin e tij. Kujtojmë se Flick ka qënë në krye të pankinës tek Bayern Munich.
Trajneri gjerman ka kërkuar nga drejtuesit e Barcelona që t’i ofrojnë Davies një kontratë e cila nuk mund të refuzohet lehtë. Mbrojtësi do të ishte përforcimi perfekt për klubin spanjoll, duke marrë parasysh dhe situatën e vështirë financiare në Camp Nou. Lojtari gjithashtu thuhet se nuk do të kërkojë një shumë për transferimin e tij, në rast se lëvizja finalizohet. Negociatat mes mbrojtësit dhe Barcelona pritet të startojnë zyrtarisht në janar, muaj ku lojtari mund të firmosë dhe një para-kontratë me çdo klub tjetër.
Real Madrid dhe Manchester United janë ende në bisedime me përfaqësues të lojtarit për të arritur një marrëveshje dhe për momentin nuk ka ende asnjë klub që është më afër transferimit të Davies. Lojtari paguhet momentalisht rreth 130 mijë paundë në javë tek Bayern Munich, por mund të sigurojë një kontratë akoma më fitimprurëse.