Mbrojtësi kroat, Josko Gvardiol, duket se preferon të luajë për Manchester City në Angli. Lajmi është bërë i ditur nga vet drejtori sportiv i Leipzig, Max Eberl. Ky i fundit gjithashtu shtoi se mes “qytetarëve” dhe klubit gjerman janë duke u zhvilluar bisedime për një marrëveshje të mundshme për kartonin e talentit. Eberl u shpreh:
“Josko dhe këshilluesit e tij na kanë shprehur dëshirën për një transferim tek Manchester City. Jemi në bisedime. Nuk ka asgjë tjetër për të thënë në këtë moment.”
Sipas disa raportimeve të mediave sportive, kartoni i Gvardiol mund të kapë vlerën e 86 milionë paundëve. Në këtë rast, kroati do të ishte zyrtarisht mbrojtësi më i shtrenjtë në histori. Gvardiol impresionoi me paraqitjet e tij në kupën e botës, duke ndihmuar kombëtaren kroate të mbërrinte deri në gjysmëfinalet e kompeticionit prestigjoz. Ndërkohë përsa i përket ecurisë me Leipzig, mbrojtësi ia doli të triumfojë në kupën e Gjermanisë këtë sezon me klubin e tij.
Nëse Gvardiol largohet, ai do të jetë një tjetër humbje e madhe për Leipzig, pas largimeve të Christopher Nkunku, Dominik Szoboszlai dhe Konrad Laimer. Vet drejtori sportiv, Max Eberl, ka pranuar se shqetësimi i fansave për largimet e lojtarëve është i drejtë, por i siguroi ata mbi të ardhmen e klubit:
“E kuptoj zhgënjimin dhe shqetësimin mes fansave. Asnjë klub dhe trajner në botë nuk do të humbasë lojtarë të këtij kalibri. Por, jemi përgatitur për këtë moment dhe mund t’ju premtoj se do të kemi përsëri një skuadër të fortë dhe cilësore.”
Kujtojmë se francezi Nkunku la Leipzig për t’iu bashkuar bluve të Chelsea, Szoboszlai lidhi një kontratë me Liverpool, ndërkohë që Laimer zgjodhi të luajë për rivalët e Bayern Munich. Nëse Gvardiol arrin të lidhë një kontratë me Manchester City, mbetet për t’u parë nëse lojtari do të mund të sigurojë një vend titullari në 11-shen e Pep Guardiolës.