Drejtuesit e Liverpool duket se janë gjithnjë e më të interesuar për talentin e Bayern Munich, Jamal Musiala. Gjermani është gjithashtu nën monitorimin e Manchester City, Real Madrid dhe Paris Saint-Germain. Lojtari po i afrohet vitit të fundit të kontratës aktuale me Bayern, dhe pavarësisht se klubi beson se se sulmuesi do të firmosë rinovimin, gjithçka mund të ndodhë, duke marrë parasysh interesin e lartë të klubeve rivale.
Gazetari sportiv, Fabrizio Romano, shpjegoi se për momentin ende nuk janë zhvilluar bisedime mes Musiala dhe Bayern Munich për një kontratë të re. Ky proces do të marrë kohën e vet dhe kjo është arsyeja se përse klube të tjera rivale mund të përfshihen në këtë ekuacion, në rast se Jamal ndihet në mëdyshje.
Një transferim potencial në Angli ka më shumë mundësi të ndodhë, sesa diku tjetër në Europë, duke marrë parasysh dhe lidhjet e Musiala me futbollin anglez. Lojtari ka qënë pjesë e akademisë së Chelsea në vitet e tij të para si lojtar, ndërkohë që gjithashtu ka përfaqësuar kombëtaren angleze në nivelet e moshave, përpara se të zgjidhte Gjermaninë në karrierën e tij si futbollist profesionist. Duke marrë parasysh dhe nivelin e lartë të Premier League, Liverpool dhe Manchester City kanë një ndjenjë optimiste se mund të bindin lojtarin të largohet nga Gjermania.
Gjithsesi, edhe nëse Musiala vendos të startojë një aventurë të re diku tjetër, kostoja për transferimin e lojtarit mbetet një problem. Bayern ka vendosur një çmim prej rreth 180 milionë eurosh për sulmuesin, për të demotivuar klubet rivale që kërkojnë firmën e tij. Manchester City dhe Real Madrid kanë treguar dhe më parë se janë në gjendje për të bërë investime të tilla madhore, por drejtuesit e Liverpool kanë pasur një qasje ndryshe në merkatot e sezoneve të fundit, dhe një shifër e tillë mund të konsiderohet jashtë mundësive.