Bomberi i Manchester City, Erling Haaland, ka firmosur një kontratë të re afatgjatë me “qytetarët”, deri në vitin 2034. Kjo është një ndër kontratat më afatgjata në historinë e futbollit. Kujtojmë se sulmuesi kishte një kontratë aktive me Manchester City deri në vitin 2027, por kjo kontratë përfshinte dhe një klauzolë për prishjen e saj. Ndërkohë, kontrata e re nuk parashikon asnjë klauzolë për largimin e Haaland, të paktën deri në vitin 2029.
Sulmuesi u shpreh mjaft i lumtur për kontratën e re dhe deklaroi:
“Jam shumë i lumtur që kam firmosur kontratën e re dhe do të shpenzoj më shumë kohë në këtë klub të madh. Manchester City është një klub special, plot me njerëz fantastikë dhe suportues, dhe është mjedisi që të ndihmon të nxjerrësh më të mirën nga të gjithë. Gjithashtu dua të falenderoj Pep, stafin e tij, shokët e skuadrës dhe të gjithë personat e tjerë në klub që më kanë ndihmuar shumë gjatë viteve të fundit.”
Kontrata e re e Haaland vjen 2 muaj pas rinovimit të trajnerit Pep Guardiola për 2 vitet e ardhshme tek Manchester City. Haaland u bë pjesë e City nga Borussia Dortmund, dhe që prej transferimit të tij në Etihad, norvegjezi ka fituar disa trofe, mes tyre Premier League, Champions League, FA Cup dhe UEFA Super Cup.
Ky sezon nuk ka shkuar si duhet për të besuarit e trajnerit Pep Guardiola, të cilët ndodhen 12 pikë larg Liverpool-it kryesues në renditjen e përgjithshme. Pavarësisht periudhës së vështirë të City, Haaland ka shënuar plot 21 gola në 28 takime.
Drejtori sportiv i Manchester City, Txiki Begiristain, gjithashtu u shpreh i lumtur për rinovimin e Haaland:
“Fakti që ai (Haaland) ka rinvouar për një periudhë kaq të gjatë demonstron përkushtimin e tij si lojtar dhe dashurinë e tij për klubin.”