Italianët e Milan kanë rënë dakord me Manchester City për të huazuar Kyle Walker deri në fund të këtij sezoni. Sipas kësaj marrëveshjeje, klubi italian do të ketë opsionin për të blerë në mënyrë përfundimtare kartonin e Walker në fund të sezonit, kur periudha e huazimit të mbyllet. Walker do të kryejë së shpejti procedurat standarte mjekësore në Milano, për t’iu bashkuar më pas zyrtarisht kuqezinjëve.
Paraqitja e fundit e Walker me Manchester City ishte ajo ndaj West Ham në 4 janar. Pas këtij momenti, anglezi i komunikoi trajnerit Pep Guardiola dëshirën për të eksploruar opsione të tjera për të ardhmen e tij, specifikisht jashtë Anglisë. 34 vjeçari u linkua dhe me një lëvizje drejt Arabisë Saudite, por ishte vet Walker që dëshiron ende të luajë në Europë.
Walker ka fituar plot 6 herë titullin kampion në Premier League, si dhe UEFA Champions League me Manchester City. Mbrojtësi i djathtë gjithashtu është paraqitur plot 93 herë me kombëtaren angleze, por pa arritur të fitojë një trofe madhor. City ndërkohë duket se po përgatitet mirë për largimin e Walker, apo dhe lojtarëve të tjerë nga Etihad. “Qytetarët” kanë afruar deri më tani 3 lojtarë të rinj, duke shpenzuar gjithsej 123 milionë paundë. Merkatoja e dimrit është ende e hapur.
Milan nga ana tjetër ka shprehur interes dhe për një tjetër yll të Premier League. Bëhet fjalë për Marcus Rashford. Sulmuesi i Manchester United gjithashtu ka bërë të ditur publikisht dëshirën e tij për t’u larguar nga Old Trafford dhe është linkuar me një sërë klubesh europiane. Gjithsesi, Milan nuk do të mund të sjellë dot anglezin në San Siro në këtë merkato. Kjo për shkak të rregullave të merkatos italiane të futbollit, sipas të cilave, italianët mund të regjistrojnë vetëm 1 lojtar nga Mbretëria e Bashkuar në janar.