Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka konfirmuar se ndihet mirë, por ka pranuar se gjumi dhe dieta e tij janë ndikuar së fundmi nga rezultatet negative të Manchester City. Në një intervistë të fundit për Amazon Prime, tekniku spanjoll ka folur më shumë mbi impaktin e rezultateve të fundit të Manchester City, mbi jetën e tij personale. Guardiola tha se gjumi i tij është përkeqësuar dhe se po ha më pak, për shkak të problemeve me tretjen. Kujtojmë se Manchester City ka fituar vetëm 1 nga 10 ndeshjet e fundit. Tekniku spanjoll u shpreh:
“Jam mirë. Në punën tonë gjithmonë duam të bëjmë më të mirën, ose më të mirën e mundshme. Kur ajo nuk ndodh, normale që je më në pozita të vështira sesa kur gjërat shkojnë mirë. Në momente të mira jam i lumtur, por kur shkojmë tek ndeshja e rradhës jam ende i shqetësuar për atë që duhet të bëjmë.”
Guardiola u shpreh se ekipi i tij duhet të shmangë sa më shumë gabimet, si në mbrojtje, ashtu dhe në sulm. Tekniku spanjoll ndërkohë vlerësoi dhe punën që Ruben Amorim po bën në krye të Manchester United. Pep tha se është i sigurt që Amorim do të bëjë një punë të mirë në krye të pankinës së Old Trafford.
Gjithsesi, “Djajtë e Kuq” kanë treguar se kanë ende shumë punë për të bërë, për t’u rikthyer mes më të mirëve në Premier League dhe Europë. United është mposhtur në 2 takimet e fundit në kampionat, përballë Arsenal dhe Nottingham Forest, dhe ekipin e Amorim e pret një transfertë mjaft e vështirë ndaj City, pavarësisht formës që po kalojnë “qytetarët.” United siguroi një fitore ndaj Viktoria Plzen në Europa League në sfidën e fundit, dhe trajneri Amorim shpresoh të marrë një tjetër rezultat pozitiv, duke thelluar në të njejtën kohë, krizën e rivalëve të tyre historikë.