Drejtuesit e Manchester United dhe ata të Bayern Munich kanë kthyer vëmendjen e tyre nga Mauricio Pochettino, pas shkarkimit të këtij të fundit nga Chelsea. Vendimi i papritur i klubit londinez ka shtuar tashmë teknikun argjentinas në listën e trajnerëve që janë të disponueshëm në merkaton e verës.
Pochettino arriti të gjejë formën më të mirë të ekipit të tij, teksa Chelsea e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, pas një starti sezoni mjaft të vështirë. Blutë e Londrës pësuan vetëm 1 humbje në 15 sfidat e fundit në Premier League, por duket se kjo nuk ka qënë mjaftueshëm për drejtuesit e Chelsea.
Manchester United ndërkohë po peshon prej kohësh vendimin për të shkarkuar trajnerin Erik ten Hag. Hollandezi nuk ka arritur të bindë me taktikat e tij në fushën e blertë, teksa “Djajtë e Kuq” e mbyllën sezonin e Premier League në vendin e 8. Anëtarët e rinj të bordit drejtues, INEOS, thuhet se janë admirues të Mauricio Pochettino dhe kjo mund të shtyjë United për të bërë një lëvizje të shpejtë, tashmë që argjentinasi është i lirë.
Bayern nga ana tjetër gjithashtu ka shtuar ish-teknikun e Chelsea dhe Tottenham në listën e tyre për zëvëndësuesin e Thomas Tuchel. Nën drejtimin e gjermanit bavarezët e mbyllën kampionatin në vendin e tretë, dhe kjo bëri që bordi të merrte vendimin për shkarkimin e tij. Në listën e Bayern Munich bëjnë pjesë dhe Thomas Frank i Brentford, si dhe Vincent Kompany i Burnley.
Pavarësisht se Pochettino u largua nga Chelsea me mosmarrëveshje me bordin e klubit, argjentinasi tregoi në pjesën e fundit të sezonit se di mjaft mirë të vendosë autoritetin e tij brenda një klubi. Kjo ka bërë që disa nga klubet më të mëdha në Europë të kthejnë përsëri vëmendjen drejt tij këtë merkato vere.