Mediat angleze kanë raportuar se Erik ten Hag do të shkarkohet shumë shpejt nga Manchester United. Sipas portaleve në Angli, vendimi për teknikun hollandez është marrë tashmë, dhe pritet të bëhet zyrtar pas finales së FA Cup ndaj Manchester City. Prestigjozja “The Guardian” bëri me dije se tekniku do të largohet nga Old Trafford, pavarësisht rezultatit në FA Cup ndaj Manchester City.
Për momentin klubi ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj lajmit. Sipas burimeve të brendshme, stafi i United kërkon të përqëndrohet tek përballja me Manchester City, që është i vetmi shanc për të përmirësuar një sezon tejet negativ.
Në rast të një disfate ndaj Manchester City, United nuk do të luajë në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm. E vetmja herë tjetër që kjo ka ndodhur ka qënë në sezonin 1981-82. “Djajtë e Kuq” e mbyllën Premier League në vendin e 8 këtë sezon, rezultati më negativ në historinë e klubit që prej vitit 1982. Këto janë disa prej arsyeve se përse bordi i United e ka parë të arsyeshme vendosjen e një trajneri të ri në krye të pankinës në Old Trafford.
Por cilët janë trajnerët që mund të zëvëndësojnë Erik ten Hag sezonin e ardhshëm? Emrat e përmendur këto javë kanë qënë të shumtë, përfshirë këtu: Thomas Tuchel, Gareth Southgate, Mauricio Pochettino dhe Kieran McKenna. Ndërkohë, vetëm javën e kaluar Erik ten Hag u shpreh se është duke u përgatitur për sezonin e ardhshëm.
Mesa duket hollandezi nuk do ta ketë këtë mundësi, teksa drejtuesit e United e kanë marrë tashmë vendimin. Në rrjetet sociale shumë tifozë të klubit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, me raportimet për shkarkimin e Ten Hag, duke u shprehur se një lajm i tillë nuk mund të dalë nga klubi para një finaleje të rëndësishme ndaj Manchester City.