E ardhmja e Erik ten Hag në krye të Manchester United do të vendoset pas finales ndaj Manchester City në FA Cup. Shancet që tekniku hollandez të vazhdojë të jetë në krye të “Djajëve të Kuq” sezonin e ardhshëm janë 50/50 sipas mediave angleze.
Nëse Ten Hag arrin të mposhtë Manchester City në finalen e FA Cup, ky do të ishte sezoni i dytë me trofe të fituar nën drejtimin e trajnerit, diçka që do të ndihmonte hollandezin për të shpëtuar vendin e tij të punës. Sidomos pas një sezoni tepër zhgënjyes të mbushur me disfata të hidhura, dëmtime të shumta si dhe probleme jashtë fushës së blertë.
Një tjetër faktor i rëndësishëm që do të ndikojë në vendimin e bordit të United, është dhe lista e emrave që mund të zëvëndësojnë Ten Hag nëse ai largohet. Disa nga alternativat janë: Thomas Tuchel që do të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit, Graham Potter, Gareth Southgate, Thomas Frank i Brentford, si dhe Kieran McKenna i Ipswich Town.
Ten Hag ka dhe 1 vit tjetër në kontratën e tij aktuale me United. “Djajtë e Kuq” ndodhen në vendin e 8 në renditjen e përgjithshme të Premier League, dhe fitorja në finalen e FA Cup mund të jetë e vetmja mënyrë që ekipi të luajë në Europë sezonin e ardhshëm. Vet Ten Hag u shpreh se mungesa e të luajturit në Europë sezonin që vjen do të ishte mjaft e dëmshme për United.
Ekipi i trajnerit hollandez do të luajë ndeshjen e fundit në Premier League këtë sezon, ndaj Brighton në transfertë. “Djajtë e Kuq” i pret një përballje e vështirë në Amex Stadium, dhe edhe nëse United arrin të sigurojë fitoren, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të siguruar një vend në Europë sezonin e ardhshëm.