Drejtuesit e Manchester United duan të forcojnë qendrën e mbrojtjes për sezonin e ardhshëm, dhe bordi drejtues i klubit ka përcaktuar tashmë objektivat në merkaton e verës për këtë pozicion. “Djajtë e Kuq” kanë piketuar Jarrad Branthwaite, Gleison Bremer dhe Jean-Clair Todibo, si objektivat kryesorë për të përforcuar prapavijën.
Branthwaite ka dalë si emër gjatë javëve të fundit në listën e dëshirave të United, ndërkohë që ylli i Juventus, Gleison Bremer, është prej kohësh nën radarin e klubit anglez. “Djajtë e Kuq” gjithashtu kanë dërguar përfaqësuesit e tyre, për të parë Todibo në aksion. Ky i fundit aktivizohet me Nice në Francë. Branthwaite dhe Todibo kanë të dy kontrata aktive me klubet respektive deri në vitin 2027. Bremer ndërkohë ka një kontratë aktive me Juventus deri në vitin 2028.
Branthwaite ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane, pas një sezoni mjaft të suksesshëm me Everton. Drejtuesit e klubit janë të detyruar të shesin një prej lojtarëve të tyre më të shtrenjtë, për të balancuar rekordet financiare dhe për të respektuar rregullat e Premier League. Kjo mund ta bëjë më të lehtë që klubet rivale të sigurojnë firmën e mbrojtësit. Megjithatë, konkurrenca pritet të jetë e ashpër.
Përsa i përket Todibo, francezi është gjithashtu shumë i admiruar nga drejtuesit e United, por transferimi i tij në Old Trafford duket se do të jetë i vështirë. Disa drejtues me mjaft peshë në bordin e Nice thuhet se po përgatiten për të refuzuar çdo lloj oferte që vjen për mbrojtësin e talentuar.
United ka dëshpërimisht nevojë për mbrojtës të rinj në ekip, pasi siç u pa dhe sezonin që lamë pas, prapavija ishte reparti më problematik i ekipit. Duke marrë parasysh dhe largimin e Rafael Varane, si dhe të ardhmen ende të paqartë të Harry Maguire, nevoja për mbrojtës bëhet gjithnjë e më konkrete.