Manchester United është duke shqyrtuar objektivat e merkatos së verës, përsa i përket mesfushës. Për momentin, emri më i lakuar është ai i Manuel Ugarte. PSG dhe United janë në bisedime dhe mendohet se palët janë afër gjetjes së një akordi. Vet Ugarte ndërkohë, sipas burimeve pranë tij, është i gatshëm të luajë në Old Trafford, edhe pse “Djajtë e Kuq” nuk do të luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm.
Sipas mediave në Francë, Manchester United i ka ofruar PSG 38 milionë paundë për shërbimet e Ugarte. Një tjetër faktor që mund të ndihmojë në finalizimin e kësaj transferte, është dhe fakti se trajneri i PSG, Luis Enrique, duket se nuk e sheh lojtarin uruguaian në planet e tij për të ardhmen.
Manchester United pritet të presë finalizimin e transfertës së Ugarte, për t’i dhënë më pas dritën jeshile dhe largimit potencial të Scott McTominay nga Old Trafford. Sipas mediave angleze, klube rivale të Premier League kanë shprehur interes për kartonin e skocezit, duke veçuar këtu West Ham, që është gati të vijë me një propozim konkret financiar për kartonin e McTominay. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e United nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë prej lojtarit, sidomos pa përforcime në mesfushë. Kujtojmë se McTominay ka edhe 1 vit të mbetur në kontratën e tij aktive me Manchester United, dhe klubi mund të rinovojë dhe për 1 vit ekstra, sipas kontratës aktuale.
Trajneri Erik ten Hag është duke u përgatitur për sezonin e ri dhe megjithëse mesfusha nuk duket se do të jetë prioriteti kryesor në këtë merkato, tekniku hollandez ka nevojë për lojtarë kreativë. Ten Hag ndihet i sigurt dhe nga paraqitjet mjaft të mira të Kobbie Mainoo, i cili shkëlqeu në pjesën e dytë të sezonit në Premier League. Anglezi gjithashtu po zhvillon një kampionat europian mjaft të mirë me Anglinë, dhe ka tashmë shancin të ngrejë lart trofeun e Euro 2024, në finalen përballë Spanjës.