Drejtuesit e Manchester United kanë vendosur sulmuesin e Juventus, Dusan Vlahovic, në listën e objektivave për repartin e sulmit. Klubi anglez kërkon të përfitojë nga situata e krijuar në Torino, ku Vlahovic dhe Juventus duket se nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët në lidhje me një kontratë të re. Serbi është skeptik për të vazhduar aventurën e tij në Itali, dhe burime pranë lojtarit bëjnë me dije se Vlahovic i ngjall interes ideja e të luajturit në Premier League. Përveç United, Arsenal gjithashtu është duke monitoruar sulmuesin. Londinezët janë prej kohësh adhurues të lojtarit dhe kanë planifikuar disa herë të hidhen në sulm për të, por deri tani pa asnjë hap konkret.
Mes emrave të tjerë në listën e interesit për United janë dhe Viktor Gyokeres, Victor Osimhen dhe Alexander Isak. Lufta për kartonin e këtyre të treve pritet të jetë më e ashpër, dhe kjo e bën Dusan Vlahovic një objektiv akoma më të përshtatshëm për klubet që kërkojnë kartonin e tij. Zërat pranë Manchester United kanë bërë të ditur se klubi do të bëjë gati një ofertë në verë për Dusan Vlahovic, pavarësisht faktit se në qendër të sulmit ka aktualisht opsione si Joshua Zirkzee apo Rasmus Hojlund.
Vlahovic ka shënuar deri më tani 7 gola në 17 paraqitje gjithsej me Juventus. Pavarësisht paraqitjeve të mira, sulmuesi ende nuk e ka arritur dot atë që pritej prej tij nga fansat. Shumë janë të besimit se një lëvizje drejt Anglisë mund të rivitalizojë karrierën e shtatëlartit serb. Tek United, është Alejandro Garnacho ai që mban momentalisht rekordin për më shumë gola të shënuar këtë sezon, gjithsej 8.
“Djajtë e Kuq” shpresojnë të nisin një kapitull të ri nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim, por humbjet përballë Arsenal dhe Nottingham Forest kanë treguar dhe një herë tjetër nevojën për ndryshime të thella në Old Trafford.