Mediat angleze kanë raportuar se Marcus Rashford ka refuzuar deri më tani 3 oferta nga Arabia Saudite, mes të cilave, njëra përllogaritet në shifrat e 35 milionë paundëve në vit. Pavarësisht ofertave marramendëse, dhe situatës së vështirë që po kalon tek Manchester United, duket se Rashford nuk e konsideron mundësinë e të luajturit futboll në Arabinë Saudite, të paktën në këtë moment të karrierës së tij.
Drejtuesit e Manchester United janë të gatshëm të lënë lojtarin të largohet në merkaton e janarit, teksa trajneri Ruben Amorim e ka lënë jashtë skuadrës së tij në ndeshjet e fundit. Pavarësisht se tekniku portugez ka shprehur dëshirën që Rashford të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit, duket se sulmuesi anglez nuk bën më pjesë në planet e Amorim për të ardhmen.
27 vjeçari kërkon që të luajë në nivelin më të lartë dhe Arabia Saudite nuk do t’ia mundësonte dot këtë. Plani i Rashford është që të rifitojë vendin e tij si titullar në kombëtaren angleze, dhe për ta bërë këtë duhet të luajë për një nga ekipet e mëdha në arenën europiane. Lojtari gjithashtu ka hedhur poshtë mundësinë e transferimit në ligën turke, pas interesit nga Fenerbahce. Kujtojmë se Rashford nuk ishte pjesë e kombëtares angleze në Euro 2024.
Muajin e kaluar sulmuesi e shprehu hapur dëshirën për t’u larguar nga “Djajtë e Kuq”, kur tha se ishte gati për një aventurë të re. Gjithsesi, lojtari ka një kontratë aktive me klubin deri në vitin 2028. United do të presë oferta për sulmuesin këtë merkato, dhe nuk përjashtohet mundësia e një marrëveshjeje në formë huazimi. Nëse klubi që kërkon të huazojë Rashford është i gatshëm të paguajë pjesën më të madhe të pagës së futbollistit, drejtuesit e United do të japin dritën jeshile për transferimin. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë dhe për vet Rashford, për të rigjetur formën e tij më të mirë.