Burime pranë mediave angleze kanë bërë me dije se babai i mesfushorit Jude Bellingham, preferon që lojtari t’i bashkohet Liverpool në Angli. Bellingham aktivizohet momentalisht me Borussia Dortmund, dhe së fundmi lojtari është impresionuar nga interesi i shprehur për të nga Real Madrid dhe Manchester City.
Liverpool nga ana tjetër është linkuar prej kohësh me emrin e anglezit. Trajneri Klopp ka përsëritur dhe një herë publikisht, se i vlerëson shumë lart aftësitë e mesfushorit. “The Reds” janë në kërkim të përforcimeve në mesfushë këtë merkato janari, dhe Bellingham është padyshim objektivi numër 1 në listën e Jurgen Klopp.
Pavarësisht se “The Reds” fituan përballë Leicester në shifrat 2-1 në ndeshjen e fundit në kampionat, problemet në mesfushë ishin të dukshme. Thiago Alcantara, Harvey Elliott dhe Jordan Henderson nuk krijuan dot kiminë e duhur me njëri-tjetrin dhe mungesa e Fabinho ishte e dukshme në fushë.
Megjithatë, një marrëveshje mes Liverpool dhe Bellingham duket e vështirë për t’u arritur këtë merkato, duke marrë parasysh se Borussia Dortmund pretendon të fitojë rreth 120 milionë paundë nga kartoni i lojtarit.
Këtu hyn në lojë Manchester City dhe Real Madrid, që duket se janë më të gatshëm se Liverpool, për të paguar një shifër të tillë edhe këtë muaj. Dortmund ndërkohë ka dështuar të bindë lojtarin për të firmosur një rinovim kontrate. Marrëveshja aktuale e mesfushorit me klubin gjerman skadon në verën e 2025-ës. Shumë prej drejtuesëve të Dortmund janë të bindur se transferimi i Bellingham do të vendosë një rekord të ri për klubin, përsa i përket aspektit financiar.
Ndërkohë përsa i përket vet mesfushorit, është ende e paqartë se cila është zgjedhja e parë në mendjen e tij, por sipas burimeve të Football Insider, babai i Bellingham pritet të ketë një ndikim të madh tek zgjedhja përfundimtare që lojtari do të bëjë.